Mbahet seanca për gjykimin e parë në mungesë për krime lufte

Është mbajtur sot seanca fillestare për gjykim në mungesë, ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, i cili ngarkohet për krime lufte nga janari deri në maj të vitit 1999.

Në këtë seancë nuk ishte prezent i akuzuari dhe nuk ka informacione për vendndodhjen e tij.

Prokurorja Habibe Salihu para trupit gjykues tha se kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore me qëllim të sigurimit të prezencës së Aksiqit.

“Fillimisht kemi siguruar adresën të cilën e ka pasur në Republikën e Kosovës, i njëjti nuk ka qenë asnjëherë prezent në atë adresë. Kemi lëshuar urdhëresë, në mungesë të sigurimit të prezencës të tij, kemi siguruar adresën ku i njëjti e ka në Republikën e Serbisë. Kemi marrë përgjigje përmes Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar se nuk ka mundur të sigurohet prezenca e tij. Meqë janë plotësuar të gjitha kushtet kemi pritur për afatin ligjor për gjashtë muaj, me qëllim qe të njoftohet ai, pasi ka kaluar afati prej gjashtë muaj. Kemi konsideruar se janë plotësuar kushtet kohore, kemi paraqitur aktakuzë për gjykim në mungesë. Po ashtu duke vepruar sipas procedurave kemi bërë shpallje publike në gazetën zyrtare për aktakuzën dhe mbajtjen e kësaj seance. Si prokurore e kësaj çështje kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore me qëllim qe të sigurohet i pandehuri, bë pamundësi të sigurimit të prezencës të tij”, tha ajo.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani tha se janë plotësuar kushtet që të nis gjykimi në mungesë.

“Mbahet gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarit pasi që janë plotësuar kushtet ligjore. I akuzuari do të përfaqësohet nga mbrojtësi Zharko Gajiq gjatë tërë kësaj kohe”, tha ajo.

Back to top button