Mbërrijnë në Kosovë trupat shtesë të NATO-s

NATO ka bërë të ditur se në Kosovë kanë filluar të mbërrijnë trupat përforcuese për KFOR-in në Kosovë.

Kjo vjen pasi proteusit serbë në Zveçan kanë lënë të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it, më 29 maj.

“Përforcimet e NATO-s kanë filluar të mbërrijnë në Kosovë pas dhunës së javës së kaluar ku u plagosën 30 persona nga trupat paqeruajtës të KFOR-it. Rreth 500 pjesëtarë të shërbimit turk nga batalioni i Brigadës 65 të mekanizuar të këmbësorisë së Turqisë do të përbëjnë pjesën më të madhe të përforcimeve të NATO-s”, ka bërë të ditur Aleanca.

Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.

Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.

Javën që shkoi, ndërkombëtarët i kërkuan Kosovës që të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës.

Back to top button