Mbështetësit dhe kundërshtarët e Erdoganit përplasen në Washington

Të dy grupet e protestuesve akuzuan njëri-tjetrin se provokuan dhunën

Dy persona janë arrestuar gjatë një përleshje para ambasadës turke në Washington të martën, pas një vizite në Shtëpinë e Bardhë të presidentit të Turqisë Rexhep Tajip Erdogan.

Mbështetësit e Erdoganit dhe rojet e sigurisë u përleshën me protestuesit kurdë dhe armenë, të cilët e akuzojnë atë për shkelje të të drejtave, raportuan mediat lokale.

Erdogani u takua të martën në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump në një vizitë që synon të përmirësojë marrëdhëniet e tensionuara.

Pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë, tensionet mbi çështjen kurde rrodhën në rrugët Washingtonit.

Presidenti turk u ndal pranë rezidencës së ambasadorit në lagjen luksoze Sheridan Circle, ku protestat shtyn zyrtarët e qytetit të bllokojnë rrugët aty pranë. Në fillim policia arriti të mbajë larg njëra -tjetrës grupet rivale por në fund ata u përplasën.

Rojet e sigurisë së Erdogan-it thuhet se sulmuan protestuesit që mbanin flamurin e partisë kurde PYD.

Të dy grupet e protestuesve akuzuan njëri-tjetrin se provokuan dhunën.

Një mbështetës i Erdoganit i tha televizionit ABC se ata thjeshtë po festonin ardhjen e presidentit të tyre kur papritur një mbështetës i grupit militant kurd qëlloi me megafon një qytetar turk.

Ndërsa një protestuese kurde i tha të njëjtit televizion se ishte sulmuar nga një mbështetës i Erdoganit

Policia e Washington-it dërgoi përforcime duke rivendosur rendin, por shërbimet emergjente thanë se nëntë persona u dërguan në spital, njëri prej të cilëve në gjendje kritike

Back to top button