Mbështetja e NATO-s për Ukrainën “e pathyeshme”, tha kryeministri spanjoll

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez tha të hënën se mbështetja e NATO-s për Ukrainën është “e pathyeshme”.
Sanchez foli në një ceremoni në Madrid, ku u shënua 40 vjetori që kur Spanja u bashkua me aleancën. I pranishëm ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Putini nuk do t’i arrijë qëllimet e tij sepse mbështetja e aleatëve të NATO-s për Ukrainën është e pathyeshme.”, tha Sanchez.
Stoltenberg vlerësoi kontributet e Spanjës në NATO.
“Ne do të thellojmë bashkëpunimin tonë me vendet dhe organizatat me të njëjtin mendim, duke përfshirë Bashkimin Evropian dhe vendet në Indo-Paqësorin. Do të na bashkohen gjithashtu Finlanda dhe Suedia që sapo bënë aplikime historike për t’u bashkuar me aleancën tonë.”, tha Stoltenberg.
Finlanda dhe Suedia kohët e fundit kanë lënë mënjanë politikat e tyre historike, duke përmendur luftën në Ukrainë dhe kanë bërë lëvizje drejt anëtarësimit në NATO.
Sanchez tha se “uniteti i NATO-s është më i miri për të shmangur një përshkallëzim” të luftës në Ukrainë. “Putini po përpiqet të bllokojë aspiratat legjitime të Ukrainës për të avancuar drejt demokracisë. Ai e ka bërë këtë për vetëm një arsye, kërcënimi që paraqet demokracia për regjimin e tij është ajo nga e cila ai ka frikë,” tha Sanchez.
Në ceremoninë e përvjetorit të Spanjës të hënën, në teatrin mbretëror historik të Madridit, ishte mbreti i Spanjës Felipe. Të pranishëm ishin gjithashtu tre ish-kryeministra spanjollë dhe katër ish-sekretarë të përgjithshëm të NATO-s, të cilët kanë shërbyer që kur Spanja ishte bashkuar me aleancën më 30 maj të vitit 1982, shkruan CNN./21Media

Back to top button