Mbetje mortore në Prizren, dyshohet se janë të luftës së fundit në Kosovë

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka bërë të ditur se pas gërmimeve që kanë filluar sot në Tusuz të Prizrenit, janë gjetur mbetje mortore, potencialisht të viktimave të luftës.

“Në kuadër të zbatimit të Planit të Punës nën koordinimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, njësitet e Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ekspertët mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore me mbështetjen edhe të ekspertëve të EULEX-it, janë duke kryer gërmimet vlerësuese në tri lokacione në hapësirat e ‘Varrezave të qytetit të Prizrenit’. Gërmimet e filluar në mëngjes tanimë kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore që mund t’iu përkasin viktimave të luftës që vazhdojnë të jenë në Listën e Personave të Zhdukur”, thuhet në njoftimn e Komisionit të publikuar në “Facebook”.

Mbetjet mortore të zhvarrosura sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminimet e nevojshme dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së.

Sipas Komisionit pasi të përfundojnë të gjitha procedurat do përcaktohet numri i individëve të zhvarrosur dhe identiteti i tyre.

Gërmimet në Tusuz të Prizrenit, janë duke u kryer në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Prishtinës, Departamentit Special.

Lokacioni në Tusuz të Prizrenit është lokacioni i trembëdhjetë i adresuar në kuptim të gërmimit vlerësues gjatë këtij viti brenda territorit të Republikës së Kosovës./21Media

Back to top button