Mbi 1 mijë e 300 persona aplikuan për t’i konvertuar patentë shoferët nga ilegalë në RKS

1 mijë e 331 persona kanë aplikuar për t’i konvertuar patentë shoferët e lëshuar nga strukturat ilegale të Serbisë në patentë shoferë të Republikës së Kosovës, këtë për portqalin rtv21.tv e ka konfirmuar Ministria Punëve të Brendshme të Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se afati për konvertimin e patentë shoferëve është deri më 9 gusht
“Sipas vendimit me nr. Protokoli: 0258/2024, të datës 05.05.2024, të Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Svecla, afati për konvertimin e patent shoferëve të lëshuar nga strukturat jo-legale serbe në patent shoferë të Republikës së Kosovës është deri me datë 09.08.2024. Ministria e Punëve të Brendshme ka në dispozicion të gjitha qendrat e pajisjeve me dokumente në Republikën e Kosovës në funksion të këtij procesi andaj ftojmë të gjithë qytetarët që posedojnë patent shoferë të institucioneve ilegale serbe që të shfrytëzojnë afatin kohor të ofruar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe të konvertojnë ata në patent shofer zyrtar të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPB-së./21Media