Mbi 16 mijë kosovarë hoqën dorë nga shtetësia për tri vjet

MPB tregon arsyen kryesore

Në kohën kur nuk ka liberalizim të vizave, pritjet për pajisje me viza, vazhdojnë të jenë të gjata.

I madh është edhe numri i kosovarëve që për arsye të ndryshme, po largohen nga vendi. E disa nga ata që në kërkim të jetës më të mirë, veçse kanë lënë shtetin e tyre, po heqin dorë edhe nga shtetësia e Kosovës.

Rroksana Qarri, zyrtare për informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tregoi për televizionin publik numrin e atyre gjatë tre vjetëve të fundit kanë kërkuar të lirohen nga shtetësia kosovare.

Gjatë vitit 2019, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 5 mijë e 350 persona, zakonisht janë shqiptarë ata që lirohen nga shtetësia. Gjatë vitit 2018 janë liruar 5 mijë e 463 persona nga shtetësia e Republikës së Kosovës, ndërsa gjatë vitit 2017 numri i të liruarve nga shtetësia është 5 mijë e 700 persona”, tha Qarri.

Të dhënat flasin se për tri vjet gjithsej 16 mijë e 513 kosovarë kanë heq dorë nga shtetësia e Kosovës. Ky numër, nëse merret për bazë regjistrimi i fundit i popullsisë, është për 1 mijë e 26 më i madh se numri i përgjithshëm i dy komunave të Kosovës, Hanit të Elezit, që në vitin 2011 kishte 9 mijë e 403 banorë dhe Junikut, ku u regjistruan 6 mijë e 84 shtetas.

Qarri tregon arsyet kryesore që po i shtyjnë kosovarët të kërkojnë të lirohen nga shtetësia.

Arsyet pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikë se Kosovës është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dy shtetësinë, përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e BE-së. Duke pasur parasysh që një numër i madh i shtetasve tonë jetojnë tashme me vite në këto shtete dhe si rezultat i saj kanë fituar të drejtën e fitimit të shtetësisë dhe janë te obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme, në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi”, tha Qarri.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i përgjithshëm i qytetarëve që aktualisht kanë shtetësi kosovare dhe janë gjallë, është 2 milionë e 458 mijë e 319 persona.

Back to top button