Mbi 4 mijë e 200 punëtorë të arsimit janë infektuar me virusin COVID-19, që nga paraqitja e rasteve të para në Kosovë. Ndërkohë, shpeshherë ka mungesë të maskave dhe dezinfektuesve nëpër shkolla.

Kështu ka thënë në një intervistë për KP, përfaqësuesit i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ymer Ymeri, i cili ka folur edhe për marrëveshjet e fundit, siç është marrëveshja kolektive, si dhe ajo me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin. Për këtë të fundit, ka thënë se është vetëm marrëveshje gojore.

Gjysëmvjetori i dytë i këtij viti shkollor në nivelin fillor dhe të mesëm ka filluar më 18 janar. Prej asaj date shumë nxënës dhe mësimdhënës janë infektuar duke ndodhur kështu dhe mungesa e tyre në mësim.

Ymeri ka thënë se frikësohen se rritja e numrit të infektuarve që ka ndodhur gjatë ditëve të fundit, do të ndikojë edhe në rritjen e numrit të infektuarve nga personeli arsimor, gjë që mund ta dërgoi ndonjë shkollë te varianti C.

“Numër të saktë nuk kemi por mund të themi se punonjës të arsimit, duke i përfshirë edhe mësimdhënësit dhe punëtorët e tjerë të cilët janë të angazhuar drejtpërdrejtë në procesin mësimor, kemi mbi 4200, kemi frikë që rritja e numrit të infektuarve ditëve të fundit, do të ndikoj edhe në rritjen e numrit të infektuarve nga personeli arsimor, dhe kjo mund ta qoj ndonjë shkollë tek varianti C, pra tek mësimi online, variant i cili është më pak frytdhënës sesa variantet e tjera…Mbesim me shpresë që mësimdhënësit dhe nxënësit të ruajnë distancën, të vendosin maskat dhe të përdorin dezinfektues”, ka thënë ai.

Ymeri ka theksuar se ani se Ministria e Arsimit kishte ndarë buxhetin për mjetet higjenike dhe për pagesat shtesë, prapë nëpër shkolla ka mungesa të maskave dhe shumë shpesh edhe të dezinfektuesve.

“Jemi të zhgënjyer në drejtoritë komunale të arsimit, kanë pasur një buxhet të aprovuar nga Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Arsimit, edhe për mjetet higjenike por edhe për pagesat shtesë të mësimdhënësve që mbajnë orë përtej normave. Nuk e kanë shfrytëzuar asnjërën, shpeshherë ka mungesë të maskave nëpër shkolla, ashtu qysh e parasheh Instituti i Shëndetësisë, shumica e mësimdhënësve dhe nxënësve i përdorin maskat e veta, dezinfektues shumicën e rasteve ka nëpër shkolla, por kemi edhe raste kur nuk ka”, ka theksuar ai.

Ymeri u ndal edhe te nënshkrimi i marrëveshjes kolektive në mes SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit, ku ka thënë se është në procedurë të shtypjes. Sipas tij, arsyeja e mos publikimit të marrëveshjes është bërë për të mos ndikuar në fushatën zgjedhore.

“Kemi dy lloje të marrëveshjes. Nënshkrimi i marrëveshjes kolektive që e kemi me Ministrinë e Arsimit. Kontrata është marrë nga Ministria e Arsimit dhe është në procedurë e shtypjes…është pothuajse e njëjta kontratë, vetëm me disa beneficione shtesë për të punësuarit, siç është edhe paga e 13 në fundvit, e cila është e lidhur me përformancen e mësimdhënësve…kryetarët e shoqatave sindikale i kanë nga dy orë më pak se sa që e parasheh norma me qëllim që të bëjnë aktivitet sindikal brenda javës, për t’i sensibilizuar punëtorët e arsimit dhe nxënësit të punojnë me shumë… Ndërsa pjesa e dytë e marrëveshjes është gojore, nuk e kemi të nënshkruar me kryeministrin në detyrë për shtesa në paga e cila kërkesën tonë në shumë prej 300 euro që e kemi pas për tetor, nëntor, dhjetor. Jemi dakorduar me nda në dy pjesë, pjesa e parë me pagat e muajit shkurt, dhe pjesa e dytë në muajin maj”, ka thënë ai.

Në fund Ymrti ka theksuar se SBASHK pret nga Qeveria e re që të jetësohen marrëveshjet që ata kanë me Ministrinë e Arsimit.

“Ne presim marrëveshjet dhe obligimet që i merr Qeveria e Kosovës, qeveria tjetër që vjen t’i vazhdojë këto marrëveshje. Kemi bindjen e plotë se do të gjejmë mirëkuptim, gjithmonë në interes të punëtorëve arsimor dhe në interes së ngritjes cilësisë dhe të mbarëvajtjes së mësimit, presim të jetësohet edhe pjesa e dytë e marrëveshjes në muajin maj”, ka theksuar ai.