Mbi 632 milionë euro remitenca për Kosovën

Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, mërgata dërgoi në Kosovë hiç më pak se 632 milionë e 900 mijë euro, shifër kjo për 77.5 milionë ero më shumë se sa periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, remitencat në Kosovë më së shumti vijnë nga Gjermania, nga ku vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti kanë arritur 38 milionë euro. Megjithatë, anëtar të opozitës në komisionin parlamentar për ekonomi, konsiderojnë se Kosova nuk mund të jetë një vend shumë i sigurt për investime, për shkak të siç thuhet, sanksioneve, korrupsionit dhe politikave qeverisëse.

“…ç’është e vërteta në dy vitet e fundit kemi një lëvizje të remitencave, për faktin që tash e dy vite mbi 120 mijë qytetarë të vendit e kanë lëshu Kosovën, por është krejtësisht normale që ata janë punësuar qoftë përkohësisht qoftë me të rregullt dhe efekti i këtyre punësimeve në diasporë tash shihet edhe në realizimim e remitencave, përgjithësisht, në një lëvizje të dukshme te remitencat. Fatkeqësisht, e keqja është që remitencat që vijnë në Kosovë, të gjitha shpenzohen për konsum dhe nuk kemi ndonjë politikë të qartë që ato remitenca të jenë në kuadër të projekteve zhvillimore, në kuadër të projekteve investuese, në kuadër të asaj që do të qëndronte, vende pune apo zhvillim ekonomik…”, tha Ferat Shala nga Komisioni për Ekonomi për RTV21.

Florim Useini nga Shoqata e Diasporës, thotë se po bëhen përpjekje për përshtatjen e një klime të sigurt për investitorët, por megjithatë problemet janë evidente. Sipas tij, ndihmesat në formë të remitancave nuk janë afatgjate.

“Nuk dmth që këto ndihmesa do të jenë afatgjate apo mund t’a zhvillojnë vendin ekonomikisht për në të ardhmen, mendoj që duhet të përqendrohemi në zhvillimet e vendit, në format që këto të ardhura që vijnë të kyçen ose bashkëngjiten në formë të zhvillimit ekonomik nëpërmjet zonës industriale, konkretisht në zhvillimin e fabrikave apo formimin e tyre, apo në fushën bujqësore apo në fushën e blegtorisë, që të jenë afatgjate dhe në formën e asaj të jetë vendi, të jenë të ardhurat e rregullta apo të zhvillohet vendi në aspektin ekonomik, mos të jetë në formë të ndihmesave që vijnë e do të shkojnë në të njëjtën formë”, tha ai.

Sipas profesorit të Ekonomisë, Fatos Ukaj, vendet që pranojnë remitenca, janë kryesisht vendet e me ekonomi të dobët.

“Remitencat janë të llojllojshme, mundesh me i qujtë edhe si ndihmesë, sepse 70% prej tyre i përdorim për me ble gjana themelore, pra i financojnë familjet e tyre. Rritja e remitencave, tregon që kosovarët jashtë kanë pare, edhe veç ide me pasë me ua jepë edhe siguri prej Qeverisë sigurisht se kishim mujtë me iu ndihmu zhvillimit ekonomik, ajo që kërkohet prej këtyre pareve me i ndihmu zhvillimit ekonomik, edhe Kosova është vend i mirë për me investu, po kosovarët zakonisht nuk kanë qejf me bashkëpunu ashtu unë siç e shoh…” 15% e buxhetit po plotësohet prej pareve të tyne edhe nëse i shpjegojmë nga aspekti ekonomik qato pare të tyne trefishohen në qarkullim në Kosovë edhe na e bajnë jetën ma të mirë”, u shpreh Ukaj.

Gjatë vitit të kaluar, remitencat në Kosovë arritën vlerën prej 1 miliard e 223 milionë euro, që ishte një rritje vjetore prej 6.0 për qind. Bashkatdhetarët, përveç remitencave, kontribuojnë edhe me shpenzimet e tyre gjatë vizitave në Kosovë në pushimet verore dhe gjatë festave të fundvitit./21Media

Back to top button