Mbi 7 mijë mërgimtarë votuan deri në orën 13:00

(Lajm i përditësuar)


Deri në ora 13:00 kanë votuar mbi 7 mijë votues në diasporë

Deri në ora 13:00 në 24 përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë votuar 7 mijë e 79 votues.

“Iu njoftojmë se tashmë procesi i votimit është duke vazhduar në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës. Nga komunikimi i vazhdueshëm në qendrat e votimit në këto përfaqësi, procesi i votimit është duke vazhduar pa ndonjë pengesë. Sipas të dhënave nga 24 përfaqësitë diplomatike, deri në orën 13:00 nga 19 mijë e 187 votues të regjistruar kanë votuar 36.89% apo 7 mijë e 79 votues”, bëri të ditur Elezi në konferencën për media.

Për procesin e votimit në këto përfaqësi, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se nuk është duke pasur ndonjë pengesë apo parregullësi.

“Jo deri më tani nuk ka ndonjë pengesë apo parregullësi në këtë proces. Ka ndoshta pa qartësi sa i përket procesit të votimit, procedurave të tjera por ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët e këtyre qendrave të votimit”, u shpreh ai./21Media


Elezi: Deri në ora 09:00 në 24 përfaqësi diplomatike votuan mbi një mijë votues

Procesi i votimit në diasporë ka filluar në ora 05:00 me kohën lokale të Kosovës në konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll për zgjedhjet e 28 dhjetorit, kurse nga ora 07:00 votimi në përfaqësi diplomatike ka filluar edhe në 24 përfaqësi diplomatike në Evropë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se procesi i votimit ka filluar në 25 përfaqësi diplomatike dhe se deri në orën 09:00 nga 19 mijë e 187 votues, kanë votuar 1 mijë e 659 prej tyre.

“Sipas të dhënave gjatë këtyre orëve të para të votimit që janë nga 25 përfaqësi diplomatike ku ka filluar procesi i votimit deri në ora 09:00 nga 19 mijë e 187 votues të regjistruar kanë votuar 8.64 për qind, apo një mijë e 659 prej tyre”, tha ai në konferencën për media.

Elezi tha se vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike mund të votojnë sot.

“Numri i përgjithshëm i shtetaseve të Kosovës për të votuar në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës është 19 mijë e 187 votues. Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë gjatë ditës së sotme pasi në listën votuese që janë dërguar në këto përfaqësi janë vetëm emrat e shtetase që kanë zgjedhur këtë mënyrë të votimit”, tregoi ai.

Elezi ka treguar kohën kur nisi votimi në përfaqësi diplomatike.

“Procesi i votimit në ora 05:00 sipas kohës lokale në Kosovë ka filluar në konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll. Ndërsa në ora 07:00 po ashtu sipas kohës lokale në Kosovë votimi ka filluar edhe në 24 përfaqësi diplomatike që ndodhen në Evropë”, tha zëdhënësi i KQZ-së.

Kujtojmë se procesi i votimit do të zhvillohet në 40 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsulatave të Kosovës në 18 vende të botës.


Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

Sot, do të zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës.

Procesi i votimit do të nisë në orën 07:00 të mëngjesit në Konsullatën e Kosovës në Stamboll, e cila do të jetë përfaqësia e parë diplomatike që hap dyert për votim, ku janë të regjistruar paraprakisht 116 votues.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një njoftim rreth këtij procesi dhe si duhet votuar.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe janë regjistruar me sukses për votim në përfaqësi diplomatike mund të votojnë:Me letërnjoftim, pasaportë ose leje vozitjeje të Republikës së Kosovës – lejohen edhe dokumentet me afat të skaduar, sipas vendimit të KQZ-së”.

“Zëri juaj ka rëndësi. Merrni pjesë në votim!”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Më 28 dhjetor, ditën e diel, Kosova voton në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat janë të dytat që mbahen brenda këtij viti.

Back to top button