Mbledhja e jashtëzakonshme e FBK, këto janë vendimet e bordit

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka mbajtur sot një mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën shqyrtoi situatën aktuale të basketbollit vendor pas incidenteve në finalen e Superkupës së Kosovës mes KB Sigal Prishtinës dhe KB Trepçës.

FBK ka bërë thirrje që masat e reja, të cilat kanë për qëllim sigurinë në palestra, të zbatohen në përpikëri, raporton KosovaPress.
FBK ka kërkuar që të kufizohet numri i ulëseve në terren për të garantuar moscënimin e terrenit nga publiku i pranishëm, si dhe të shtohen masat e sigurisë dhe kontrollet për publikun.
Më poshtë i gjeni masat që FBK ka kërkuar të zbatohen.
1. Të kufizohet numri i ulëseve në terren, në varësi të konfigurimit të palestrës, për të garantuar moscenimin e terrenit nga publiku i pranishëm;
2. Të mos lejohet pengimi i pjesëmarrësve të ndeshjes nga publiku i pranishëm përreth terrenit të lojës;
3. Të shtohen masat e sigurisë dhe kontrollet për publikun, duke ndaluar futjen e çfarëdo mjeti që mund të rrezikojë sigurinë e pjesëmarrësve dhe shikuesve;
4. Të emërohet një komesar i sigurisë për çdo ndeshje, i cili do të garantojë mbarëvajtjen e ndeshjeve dhe organizimit;
5. Para secilës ndeshje, organizatori të paraqesë planin e sigurisë me shkrim tek Komesari i Garave, i cili të njëjtin ia përcjell tutje delegatit të ndeshjes, gjyqtarit kryesor dhe komesarit të sigurisë;
6. Të zbatohen me përpikëri Propozicionet e Garave dhe Rregullorja e Garave të FBK, duke garantuar, mes tjerash:
6.1 Zbatimin e dispozitave që rregullojnë ndalesën e sharjeve në kor;
6.2 Zbatimin e dispozitave që rregullojnë hedhjet në terren, përfshirë edhe hedhjen e mjeteve të cilat nuk rrezikojnë jetën apo shëndetin e pjesëmarrësve;
6.3 Zbatimin e dispozitave që rregullojnë intonimin e himnit shtetëror;
6.4 Zbatimin e dispozitave që rregullojnë garantimin e sigurisë në terren, përfshirë rastet e mospërputhjes së veprimit të organizatorit në pajtim me ligjet e zbatueshme dhe planin e sigurisë;
7. FBK dhe klubet të organizojnë fushatë të përbashkët vetëdijesuese për pasojat e veprimit në kundërshtim me propozicionet e garave.
8. FBK dhe klubet të organizojnë xhirimin e keqsjelljes së personave të pranishëm në terren dhe të koordinohet ndarja e imazheve me organet e ndjekjes dhe zbatimit të ligjit.
9. Të vazhdojë ndalesa e udhëtimit të tifozerive mysafire për të gjitha aktivitet sportive të organizuara nën ombrellën e FBK-së.
10. Organizimi i Kupës së Kosovës të bëhet pa spektatorë.
11. Ndalohet rreptësishtë shitja dhe konsumi i pijeve alkoolike konform Ligjit për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive.
Po ashtu, Bordi i FBK-së është zotuar që t’i zbatojë rekomandimet e Këshillit për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive si:
1. Të ndalohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit, të cilat organizohen nga Federata e Basketbollit të Kosovës, deri në një njoftim tjetër;
2. Kërkohet nga të gjitha grupet e tifozëve të cilët deri më tani nuk janë regjistruar tek Departamenti i Organizatave Joqeveritare (DOJQ) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ta bëjnë këtë gjë në afatin më të shkurtër kohor, dhe pas regjistrimit ta deponojnë listën me emrat e kryesisë dhe emrat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të OJQ-së tek Drejtoria për Sport e Komunës përkatëse;
3. Kërkohet nga Federata e Basketbollit të Kosovës që të aplikojë me rigorozitetin maksimal të gjitha dispozitat normative përkatëse që janë në kuadër të Propozicioneve të Garave të FBK-së.
4. Kërkohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që ta përfshijë në planifikimin buxhetor për vitin 2023 vendosjen e sistemit të kamerave të sigurisë në të gjitha palestrat sportive, ndërsa në vazhdim të procesit vendosja e kamerave të sigurisë të bëhet edhe në të gjitha stadiumet e futbollit.
Back to top button