Mblidhen Ministrat e Jashtëm të BE-së, diskutojnë për Kosovën

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së sot pritet të mblidhen për të diskutuar për gjendjen në Kosovë, dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe për situatën në Ballkanin Perëndimor.
Takimi i thirrur në Bruksel pason një javë të tensionuar në Kosovë pas largimit nga institucionet qendrore dhe ato lokale të përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, që pasoi vendimin e Qeverisë në Prishtinë për zbatimin e shkallëzuar të masave për riregjistrim të makinave.
Ministrat e Jashtëm të BE-së mblidhen pak ditë pasi Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell takoi ndaras në Paris, në kuadër të Forumit të Paqes, kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiq për të ndihmuar, siç thuhet, të dyja palët që të zgjidhin krizën aktuale dhe të ruajnë paqen dhe stabilitetin.
Bashkimi Evropian tha se Borrell iu ka kërkuar palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të tregojnë gatishmëri për një kompromis.
Takim me dy udhëheqësit zhvilloi edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron, por as ai nuk arriti te ulte ballë për ballë Kurtin dhe Vuçiq. Autoritetet në Prishtinë thanë se do të vazhdojnë me zbatimin e shkallëzuar të masave dhe prej 21 Nëntorit do të shqiptojnë gjobat prej 150 euro për të gjitha makinat që nuk janë riregjistruar.
Beogradi zyrtar dhe përfaqëusesit e serbëve të Kosovës, thonë se nuk do të zbatojnë asnjë vendim të Prishtinës dhe kanë kërkuar edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si kompromis për kthim në institucione.
Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të zgjasë afatin prej dhjetë muaj për riregjistrim të makinave dhe të ulë tensionet në veri. Ministrat e Jashtëm pritet që të japin një përgjigje për gjendjen pasi Komisioni Evropian paralajmëroi se një shpërthim i ri tensionesh do të kërcënonte të gjithë rajonin.
Pritet që në takimin e nesërm, Ministrat të diskutojnë edhe për bllokimin kushtetues në Mal të Zi si dhe tensionet politike në Bosnjë e Hercegovinë. Takimi i të hënës në Bruksel i paraprinë një Samiti BE-Ballkani Perëndimor, që pritet të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor. Gjithashtu mësohet se në agjendën e takimit ministror do të jetë edhe gjendja në Ukrainë dhe agresioni rus./21Media

Back to top button