Mblidhet Shtabi Emergjent në Mitrovicë pas situatës me vërshimet

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka njoftuar se të martën mbrëma ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Shtabit Emergjent pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e vazhdueshme të shiut.

Peci ka thënë se i gjithë mekanizmi shtetëror, si në nivel lokal ashtu edhe qendror, janë në gjendje gatishmërie bashkë me ekipe vullnetare për intervenim të menjëhershëm nga vërshimet në Komunën e Mitrovicës.

“Duke marrë në konsideratë motin e përkeqësuar nga reshjet e vazhdueshme të shiut dhe rrezikun nga vërshimet e mundshme në rajonin e Mitrovicës, sonte në ora 21:00 thirra mbledhje të jashtëzakonshme të gjithë akterët kompetentë në zinxhirin e sigurisë dhe intervenimit emergjent. Në këtë mbledhje u diskutua në lidhje me koordinimin në mes institucioneve, vlerësimin e gjendjes së tanishme në terren, si dhe masat që duhet të ndërmerren. Si kryetar i Komunës, jam i gatshëm që të vë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme në menaxhim të kësaj situate”, ka njoftuar Peci nëpërmjet një postimi në Facebook.

Back to top button