Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve: ZPS po synon kontroll mbi dëshmitarët

Sot në seancën përgatitore për gjykim ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit u zhvillua debat midis prokurorisë dhe mbrojtjes lidhur me dëshmitarët.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka propozuar një kornizë për trajtimin e informacionit konfidencial dhe kontaktet me dëshmitarët e cila është kundërshtuar nga avokatët e mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.
Sipas mbrojtjes së Thaçit dhe të tjerëve, është e papranueshme kërkesa e ZPS-së që të jetë e pranishme kur mbrojtja të intervistojë dëshmitarët e prokurorisë dhe ajo për masa mbrojtëse për të gjithë dëshmitarët. Avokatët kanë deklaruar që prokuroria po synon kontroll mbi dëshmitarët.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka kërkuar gjykatësit të procedurës paraprake të urdhërojë zbatimin e kornizës së prezantuar për të cilën ka thënë se është e domosdoshme për të mundësuar që shumë prej dëshmitarëve të japin dëshmi sipas tyre pa frikë.
Tutje, ZPS ka kërkuar që ekipet e mbrojtjes t’i raportojnë prokurorisë se me cilët dëshmitarë kanë kontaktuar, cilët i kanë intervistuar dhe të nxjerrët dokumentim apo incizim i këtyre intervistave.
Gjithashtu, ZPS ka deklaruar që një protokoll i tillë është i nevojshëm sipas tyre për shkak të sigurisë së dëshmitarëve dhe frikës që mund të kenë për të dëshmuar.
Ndërsa avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory W.Kehoe ka kundërshtuar prokurorinë në qëndrimin saj se ekziston një klimë frikësimi për dëshmitarët.
Sipas Kehoe, ZPS po synon kontroll mbi dëshmitarët e mbrojtjes.
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka thënë se një propozim i tillë i ZPS-së nuk duhet të zbatohet dhe sipas tij nga masat mbrojtëse duhet të përjashtohen çdo dëshmitar që nuk pretendohet se është viktimë.
Gjithashtu mbrojtja e Rexhep Selimit e ka kundërshtuar kornizën e propozuar nga ZPS çka sipas tyre prokuroria po synon t’i ketë në zotërim të gjithë dëshmitarët.
E mbrojtja e Jakup Kransiqitr ka deklaruar që problemi kryesor i protokollit të propozuar është që shmang vlerësimin e dëshmitarëve specifikë nëse ata kanë nevojë për masa mbrojtëse derisa kërkon vendosjen e masave për të gjithë dëshmitarët pavarësisht nga nevoja. Konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të mbahet më 25 mars.
Kujtojmë se, Thaçi dhe të tjerët po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë nga nëntori i vitit 2020./21Media

Back to top button