Mbrojtja e Thaçit kërkon seancë dëgjimore publike 

Mbrojta e Hashim Thaçit ka kërkuar seancë dëgjimore publike për të trajtuar arsyet për mbajtjen në paraburgim të Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Avokati kryesor në ekipin e ish-presidentit të Kosovës, Gregory Ë. Kehoe ka thënë se Prokuroria po bënë komente të maskuara duke përmendur konfidencialitetin dhe duke thënë se Policisë nuk mund t’i besohet lidhur me garancinë se katër të akuzuarit do të respektojnë kushtet e vendosura nga gjykata.
Në konferencën mbi ecurinë e çështjes që po mbahet në Dhomat e Specializuara në Hagë, avokati Kehoe ka thënë se rezervat e Prokurorisë mbi Policinë e Kosovës duhet të dëgjohen në debat publik.
“Kjo procedurë duhet të trajtohet në seancë të hapur, në debat të hapur këtu në gjykatë në mënyrë që të dëgjojmë se cilat janë rezervat që ka Prokuroria mbi Policinë e Kosovës apo çdo etnitet tjetër, prandaj ne kërkojmë seancë dëgjimore publike për të trajtuar arsyet përse këta zotërinjtë mbahen në burg ndërkohë që ka një vit që presin gjykimin, ata mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të respektojnë kushtet e vendosura. Të mos vazhdohet me këto komente të maskuara të Prokurorisë lidhur me konfidencialitetin apo se Policisë së Kosovës nuk mund t’i zihet besë”, ka thënë mbrojtja e Thaçit.
Ai ka insistuar që e gjithë kjo të diskutohet në seancë dëgjimore publike.
“Unë nuk ju kërkoj të ndryshoni urdhrin që keni lëshuar por unë ju kërkoj që të flasim për udhëzime të mëtutjeshme, asnjë shqiptarë nga Kosova nuk është liruar nga kjo gjykatë, nga një gjykatë e mëparshme janë liruar edhe serbë edhe shqiptarë por në këtë gjykatë jo, gjatë procedurës paraprake, pse, nuk paska asnjë kusht që do të garantonte që këta individë të paraqiteshin në gjykatë në momentin e duhur, të respektonin kufizimet e vendosura nga ju i nderuari gjykatës”, ka thënë avokati Kehoe.
Kehoe ka thënë se përmes seancës dëgjimore publike, gjykatësi i procedurës paraprake do të mund të bindej nëse ka apo jo masa mbrojtëse për të siguruar që Thaçi dhe të tjerët do të respektojnë kushtet e vendosura nga ai dhe se do të dalin para gjykatës sapo të urdhërohen.
Në konferencën mbi ecurinë e çështjes po merr pjesë edhe prokurori i specializuar Xhek Smith, ndërsa të akuzuarit po e përcjellin seancën parmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Kransiqi po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020.
Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Back to top button