Mbrojtja: Prokuroria s’ka prova që (jo)veprimet e Selimit si ministër i Rendit luajti rol në kryerjen e krimeve

Avokati i Rexhep Selimi, Eric Tully në paraqitjen e fjalës përmbyllëse tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e ka vërtetuar se veprimet ose mosveprimet e Selimit si ministër i Rendit Publik kanë ndikuar në kryerjen e krimeve në aktakuzë.
Sipas tij, ekziston një mungesë e dokumenteve që mbështesin pretendimet e Prokurorisë Speciale.
“ZPS nuk ka arritur të provojë argumentin e vet përtej dyshimit të arsyeshëm jo vetëm kaq, por ekziston një mungesë e tërë e dokumenteve operative të dërguara nga Ministria e Rendit Publik në drejtim të policisë ose e kundërta, e cila nuk vërteton përfshirjen e Selimit dhe faktin se që ai ka pasur kontroll mbi Policinë. ZPS-ja nuk ka dhënë prova për të vërtetuar që veprimet ose mosveprimet e Selimi si ministër i Rendit Publik kanë luajtur ndonjë rol në kryerjen e krimeve në aktakuzë apo që ai është përgjegjës për veprimet e personave të tjerë lidhur me kryerjen e krimeve në aktakuzë”, tha Tully.
Ai shtoi se Prokuroria duket se nuk është e vendosur sa i takon përshkrimit të autoritetit të Selimit.
“Në dosjen përfundimtare Prokuroria duket se nuk është e vendosur sa i takon përshkrimit të autoritetit të Selimit. Në paragrafin 503 të dosjes përfundimtare të Prokurorisë, thuhet se Selimi kishte kontroll operativ mbi Policinë. Ndërkohë që në paragrafin 532 duket sikur e ka ndryshuar ZPS pak mendjen, duke pretenduar se ai kishte autoritet operacional mbi policinë dhe që ai ishte i ‘pozicionuar’ për të udhëzuar pozicionet e tyre. Pavarësisht termave që përdor UÇK ajo nuk ka dhënë asnjë provë për mbështetjen e asnjë prej qëndrimeve të saj”,tha ai.