Mbrojtje falas për viktimat e dhunës seksuale

Sipas Jahjagës, tashmë viktimat nuk janë vetëm

Jahjaga Foundation dhe Oda e Avokatëve të Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit, me të cilën të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë u siguron mbrojtje falas.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga me këtë rast ka thënë se tashmë viktimat nuk janë vetëm, pasi ato kanë pas vetes të gjithë.

“Po nënshkruajmë memorandum bashkëpunimi, për ofrime të shërbimeve falas, për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në vitin 2014 me themelimin e këshillit kombëtar, u iniciua procesi për riintegrim, u bë e mundur njohja e tyre, u hap rruga për verifikimin e statusit të tyre, që ka filluar në shkurt të këtij viti. Kemi punuar për njohjen insticuionale, për luftimin e stigmës. Është e vërtetë që kemi shënuar arritje, të rëndesishme, por nuk kemi arritur t’iu ofrojmë drejtësi atyre”, ka thënë ajo.

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli ka thënë se kjo ditë është shumë e rëndësishme për ta, duke shtuar se në këtë proces synojnë të përfshijnë më shumë avokatë, e po ashtu si të tillë do t’i nënshtrohen disa trajnimeve.

Ai ka shtuar se oda do të bëjë identifikimin e avokatëve, të cilët do të merren me këto raste, duke ruajtur kështu identitetin e tyre.

Ndërsa, Igballe Rogova nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës ka thënë se mbrojtja ligjore tash është më e mundur.

“Drejtësia i jep shërim këtij vendit. Ky vit ka qenë për viktimat e dhunës seksuale. Përfundimi i këtij viti me këtë nënshkrim, është vërtetë një ditë shumë prekëse për mu. Viti i ardhshëm shpresojmë që do të jetë vit i drejtësisë”, ka përfunduar ajo.

Back to top button