Mbyllen pesë komuna paralele – ministri Krasniqi jep detajet

(Lajm i përditësuar)
Mbyllen pesë komuna paralele – ministri Krasniqi jep detajet
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi ka njoftuar se sot pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi ka bërë të ditur se me këtë rast janë mbyllur komuna paralele e Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, ajo e Zveçanit, komuna paralele e Zubin Potokut dhe komuna paralele e Leposaviqit.
“Këto pesë sot i bashkohen shtatë komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash. Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka shtuar se qytetarët kanë adresën e saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Kosovës.
“Nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës sonë”, ka përfunduar Krasniqi.
Policia aksion në veri
Policia e Kosovës po zhvillon operacion në katër komunat në veri të vendit, me kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.
Në njoftim thuhet se qëllimi i operacionit policor është “vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues.”
Siç merr vesh Reporteri.net, aksioni ka filluar në orën 17:00 dhe po vazhdon ende.
“Policia e Kosovës, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë, është duke zhvilluar një operacion policor në katër komuna në veri të Kosovës. Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues. Operacioni policor është duke vazhduar, ndërsa për informacione shtesë do të informoheni pas përfundimit të operacionit”, thuhet në njoftim.