Mbyllet autostrada Tiranë – Durrës

Këto janë rrugët alternative

Duke nisur nga ora 05:00 e mëngjesit të sotëm, autostrada Tiranë-Durrës, konkretisht segmenti Tiranë-Qafë Kashar është mbyllur për qarkullimin e automjeteve.

Mëngjesin e sotëm në autostradën Tiranë-Durrës do të nisë ndërhyrja për të shmangur përmbytjet, ndërsa punimet parashikohet të zgjasin rreth 2 javë. Kjo ndërhyrje cilësohet e domosdoshme edhe pse autostrada parashikohet të zgjerohet.

Trafiku në këtë segment do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugën dytësore, të cilat do të funksionojnë me një drejtim lëvizje.

Ndërsa rekomandohen përdoruesit e rrugës që gjatë kësaj kohe të zgjedhin rrugë alternative për lëvizjet në drejtim të veriut (nga Kamza) dhe në drejtim të jugut (nga Ndroqi ose Elbasani).

Zëvendësdrejtori i ARRSH-së, Ergys Verdho, u shpreh dje: Është bërë një studim hidrik për zonën me kërkesë të bashkisë dhe prefekturës Tiranë dhe studimi ka konsistuar në rritjen e kapacitetit të këtyre turbinave dhe tashmë në kuadër të projektit të mirëmbajtjes së performancës të Bankës Botërore është bërë i mundur ekzekutimi i tyre.

Sipas Drejtorit të Mirëmbajtjes në Bankën Botërore kjo ndërhyrje vlerësohet e domosdoshme edhe pse parashikohet një zgjerim i autostradës.

“Në rast se do të zgjerohet, do ketë një zgjerim të mundshëm të autostradës. Këto do jenë vendime politike, ose vendime më të mëdha, atëherë automatikisht do të bëhet dhe zgjerimi i këtyre turbinave. Por kjo është konsideruar nga ARRSH si ndërhyrje emergjente për të zgjidhur këtë situatë”, tha Klodian Sava.

ARRSH i bën apel drejtuesve të mjeteve që t’i mirëkuptojnë dhe të ndjekin udhëzimet e policisë rrugore për të shmangur trafikun./oranews

Back to top button