Mbyllet kompania paralele e Serbisë e ujësjellësit dhe mbeturinave që funksiononte në Shtërpcë

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka reaguar pas aksioni të hershëm të policisë në Shtërpcë ku është mbyllur një kompani paralele e Serbisë në Kosovë.
Mbyllja e këtyre kompanive është bërë pas kërkesës së Njësisë së Mbikqyrjes së Ndërmarrjeve Publike drejtuar Policisë së Kosovës
“Asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Asnjë paralelizëm i institucioneve tona e nën direktivat e Beogradit brenda territorit të vendit tonë nuk do të funksionojë në asnjë formë. Pas kërkesës së Njësisë së Mbikqyrjes së Ndërmarrjeve Publike drejtuar Policisë së Kosovës, sot është mbyllur kompania paralele e Serbisë e ujësjellësit dhe mbeturinave “Novo Javno Preduzece” e cila ka funksionuar në Shtërpcë. Ministria e Ekonomisë sipas mandatit dhe mekanizmave të saj është në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe në mbarë territorin e Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim do të punojmë në vazhdimësi dhe pa u ndalur. Falënderoj Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe njëherit kërkoj nga ta dhe nga Prokuroria hetime të menjëhershme mbi dëmet dhe përfitimet që janë sjellë nga veprimtaria e jashtëligjshme e këtij institucioni paralel të Serbisë”, thuhet në reagimin e Rizvanollit në Facebook.
Edhe Policia e Kosovës njoftoi për asistimin e ofruar për mbylljen e kësaj kompanie.“Policia e Kosovës, pas kërkesës së pranuar nga Ministria e Ekonomisë dhe në koordinim me institucionet përkatëse, ka asistuar sot në inspektimin dhe mbylljen e një institucioni paralel të Serbisë i cili ka operuar në komunën e Shtërpcës, saktësisht të kompanisë së ujësjellësit dhe mbeturinave e cila ka funksionuar nën juridiksionin e Serbisë”- njoftoi Policia e Kosovës.
Tutje, Policia u zotua se “me njësitë relevante policore dhe në koordinim me autoritetet përkatëse, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në raport me aktivitetin e jashtëligjshëm të kësaj ndërmarrje”.