Mbyllet me sukses operacioni i kërkimit, gjendet shëndosh e mirë personi i humbur nga Novobërda

(Lajm i përditësuar)


Mbyllet me sukses operacioni i kërkimit, gjendet shëndosh e mirë personi i humbur nga Novobërda

Personi i humbur në fshatin Llabjan të Novobërdës është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.

Lidhur me këtë operacion të kërkimit ka njoftuar edhe Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim.

“Personi është gjetur shëndosh e mirë pas angazhimit të ekipeve të kërkim-shpëtimit në bashkëpunim me Policinë Rajonale të Gjilanit, Qendrën e Situatave dhe qytetarët vullnetarë. Falënderojmë të gjitha strukturat e përfshira dhe komunitetin lokal për mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë operacionit”, thuhet në njoftim./21Media


Humb një person në Novobërdë, policia kërkon bashkëpunim për gjetjen e tij

Një 52 vjeçar nga fshati Llabjan i Novobërdës është raportuar i zhdukur nga familja e tij ditën e martë.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani tha se pas pranimit të informatës, njësitet policore, Njësiti i Hetimeve Rajonale i Drejtorisë Rajonale në Gjilan së bashku edhe me Shoqatën e Kosovës për kërkim-shpëtim janë duke zhvilluar kërkime intensive, për gjetjen e tij.

“Me datën 15.10.2025 nga familjarët kemi pranuar njoftim se, personi Shaban (Sejdi) Isufi, mashkull kosovar, i moshës 52-vjeçare, nga fshati Llabjan i komunës së Novobërdës, që nga data 14.10.2025 është larguar nga shtëpia e tij dhe deri më tani nuk dihet për vendndodhjen e tij. Pas pranimit të informatës, njësitet policore të Stacionit Policor Novobërdë, Njësiti i Hetimeve Rajonale i Drejtorisë Rajonale në Gjilan së bashku edhe me Shoqatën e Kosovës për kërkim-shpëtim janë duke zhvilluar kërkime intensive, me qëllim gjetjen e personit. Me këtë rast u bën thirrje qytetarëve që mund të kenë ndonjë informacion lidhur me vendndodhjen e tij, të kontaktojnë menjëherë Policinë e Kosovës përmes numrit 192, 0385045047095 apo në stacionin më të afërt policor”, tha Osmani. /21Media


Humb një person në Novobërdë, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit nis kërkimin e tij

Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim i është përgjigjur thirrjes nga Qendra Operative dhe kërkesës nga Policia Rajonale e Gjilanit, për kërkimin e një personi të zhdukur nga fshati Llabjan i komunës së Novobërdës.

“Në terren janë dislokuar njësitet e kërkim-shpëtimit, në bashkërendim me autoritetet lokale dhe Policinë e Kosovës. Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim po vazhdon operacionin në mënyrë të pandërprerë deri në gjetjen e personit të humbur”, thuhet në njoftimin e kësaj shoqate.

Back to top button