Mbyllet për publikun seanca në rastin Banjska

(Lajm i përditësuar)
Mbyllet për publikun seanca në rastin “Banjska”, do të dëgjohet një dëshmitar anonim
Me propozim të prokurorit special Naim Abazi, është mbyllur për publikun seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin “Banjska”, pasi do të dëgjohet dëshmitari anonim A2.
Në këtë rast, lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, po akuzohen: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, për të cilët është veçuar procedura nga të akuzuarit tjerë, të cilët deri tani janë të paarritshëm për drejtësinë.
Fillimisht, prokurori special Naim Abazi kërkoi që seanca të mbyllet përkohësisht për publikun, për shkak se do të dëgjohet dëshmitari anonim A2, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokurori Abazi kërkoi që seanca të mbyllet derisa të dëshmojë dëshmitari që gëzon statusin e dëshmitarit anonim.
“Kërkojmë nga Gjykata të aprovojë kërkesën e Prokurorisë dhe të urdhërojë që kjo seancë të zhvillohet me dyer të mbyllura, në mënyrë që të respektohen dispozitat ligjore për mbrojtjen e dëshmitarëve”, tha Abazi.
Mbrojtësi i Blagoje Spasojeviqit, avokati Ljubomir Pantoviq tha se pajtohet me propozimin e prokurorit nëse dëgjon arsyet konkrete se pse do të ndikonte negativisht në dëshmitarin dhe në proces, dëgjimi i hapur i dëshmitarit anonim A2.
“Ne nuk kemi dëgjuar arsye nga prokurori dhe kërkoj të mos e aprovoni këtë propozim”, tha Pantoviq.
Më pas, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti mori aktvendim me të cilin aprovoi propozimin e prokurorit që seanca të mbyllet për publikun gjatë dëgjimit të dëshmitarit A2, me qëllim të mbrojtjes së dëshmitarëve.
Nis seanca ndaj tre të akuzuarve në rastin Banjska
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën po mbahet seanca e radhës ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq.
Seanca pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.
Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.
Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.