MD akuzon Prokurorinë Speciale për manipulim e propagandë në rastin Dehari

Ministria e Drejtësisë, ka kritikuar Prokurorinë Speciale që publikoi raportin e Institutit zviceran për Astrit Deharin, ende pa iu dorëzuar familjes.
Përmes një komunikate për media MD ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me rastin Dehari, ku ka thënë se Prokuroria Speciale po del e propaganduar me 2 konkluzione të publikuara nga 5 sa janë në tërësi, pa e pranuar raportin familja e Astritit.
“Pas më shumë se 5 vitesh, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar intelektuale, mungesë totale të njohurive shkencore, gjuhë krejtësisht jo profesionale edhe qëllim dashakeq. Jemi të zhgënjyer me këtë qasje! Ende pa e pranuar familja e Astrit Deharit raportin e Institutit zviceran, Prokuroria Speciale publikon 2 konkluzione dhe jo 5 sa janë në tërësi ato”, është shprehur MD.
Siç thuhet në komunikatë, Prokuroria Speciale po manipulon me raportin e Institutit Zviceran.
“Nxitimi me komunikatë nga Prokuroria Speciale sikurse deklaratat e menjëhershme asokohe të kreut të policisë dhe të Prokurorisë Themelore në Prizren, në mënyrë të ngjashme na rikthehen sërish me deklarata të Prokurorisë Speciale, pa kurrfarë nevoje për këtë nxitim. Kujt i kontribuon një manipulim i tillë, ku publikohen konkludime të pjesëshme? Si munden organet e drejtësisë të jenë kaq tendencioze dhe selektive, veçmas një organ siç është prokuroria, e cila nuk guxon t’i shpërfillë asnjë nga hetimet që bëhen për asnjë rast të caktuar”, thuhej më tej.
Ministria e Drejtësisë potecon se papërgjegjësia e organeve ndaj këtij rasti, po e vret zbardhjen e drejtësisë.
“Astrit Dehari ka vdekur në duart e shtetit. Papërgjegjësia e organeve të shtetit ka prodhuar edhe këtë situatë të kobshme. Papërgjegjësia e sërishme e organeve, këtë rast e Prokurorisë Speciale, tenton të vrasë zbardhjen e drejtësisë. Përkundër pengesave që kanë vendosur, individë apo grupe të ndryshme, të cilët tentojnë ende që të pamundësojnë zbardhjen e rastit Dehari, ato nuk mund ta sfidojnë në tërësi drejtësinë”, bëhet e ditur në komunikatë./21Media

Back to top button