Më 12 maj grevë, më 20 maj protestë

Bashkimi i Sindikatave të Kosovës (BSPK) ka vendosur që më 12 maj të mbahet grevë një orëshe për të gjithë të punësuarit në Kosovë duke mos u përjashtuar edhe greva e përgjithshme.
Pas takimit me sindikatat, kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli ka njoftuar se më datën 20 maj do të mbahet protestë.
“BSPK ka vendosur që krahas që është hapur një tunel i dialogut social me institucionet tona, më datën 12 maj, kemi vendosur që të fillojmë me një grevë një orëshe për gjithë të punësuarit e Kosovës dhe protestë më datën 20 maj”, ka thënë Hykolli.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka njoftuar se pas grevës e protestës, nëse nuk përfillen kërkesat e tyre, do të mbahet grevë e përgjithshme.
“Sindikatat do të shkojnë në grevë të përgjithshme duke e paralizuar edhe sistemin arsimor dhe sektorët tjerë. Po i japim hapësirë dialogut, e ky veprim do të shihet më 12 maj, me grevën një orëshe dhe protestën më 20 maj që besoj se do të jetë madhështore”, ka deklaruar Jasharaj.
Kjo grevë do të mbahet në shenjë pakënaqësie për mospërfilljen e kërkesës për 100 euro shtesë çdo muaj deri në miratimin e Ligjit për Paga./21Media

Back to top button