Më 15 shtator mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së nis paraqitjen e provave

Më 15 shtator, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të nisë paraqitjen e provave për rastin e saj, tha trupi gjykues gjatë konferencës statusore që u mbajt në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Të pranishëm në sallë plenare janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, ndërkaq Jakup Krasniqi po e përcjell seancën përmes video-lidhjes.
Avokati i Hashim Thaçit, Lluka Misetiq, tha se idealisht shpreson që të përfundojë me provat dhe dëshmitarët deri në fund të tetorit. Por, do të dëshironte që të kishte kohë më pas – siç ka pasur edhe Prokuroria – për paraqitjen e mocioneve për prova jogojore.
Avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, tha se parasheh që do t’i duhet 1 javë kohë për paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve.
Ndërkaq, në nisje të konferencës, trupi gjykues kërkoi nga mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit që të japë afate kohore se kur do të nxjerrë deklaratat për dëshmitarët.