Më 24 mars seanca e radhës ndaj Thaçit, Veselit e të tjerëve

 

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë bërë të ditur se me 24 mars do të mbahet konferencë për ecurinë e çështjes ndaj ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të UÇK-së.

Seanca ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, do të fillojë nga ora 11:00.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./21Media

Back to top button