Më 9 shkurt zgjedhjet, KQZ së shpejti miraton planin e aktiviteteve për organizimin e tyre

Pas caktimit të datës së zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bën të ditur se do të ndërmarrin të gjithë hapat ligjor për të filluar me përgatitjen e zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Kështu ka bërë të ditur për rtv21, Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Në këtë drejtim, KQZ së shpejti do të miratojë planin e aktiviteteve për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Vendosja e afateve dhe plani i aktiviteteve do të thotë përcaktim i saktë i kohës se kur fillon një aktivitet zgjedhor dhe koha se kur përfundon. Këto aktivitete përfshijnë: aplikimi i subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje dhe dorëzimi i listës së kandidatëve; verifikimi i përshtatshmërisë/aftësisë së kandidatëve; deklarimi i partive politike për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit; periudha e regjistrimit si votues jashtë Kosovës dhe votimi jashtë Kosovës; periudha për regjistrimin dhe Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta (VNPV); periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar; periudha për aplikimin dhe akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve dhe mediave; periudha emërimin e trupave zgjedhore (Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillat e Vendvotimeve) dhe trajnimin e tyre; certifikimi i Listës së Votuesve, e të tjera”, ka thënë ai.
Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave./21Media