“Më cënuan privatësinë”, a mund të padis Andy Byron në gjyq Coldplay për shfaqjen e tij në ekranin e madh

Një javë tepër e trazuar ka qenë kjo që lamë pas për Andy Byron, ish-CEO i kompanisë teknologjike Astronomer, i cili u përfshi në një skandal publik pas një momenti intim në një koncert të Coldplay në stadiumin Gillette, në Masaçusets.
A mund të ndërmarrë Andy Byron veprime ligjore kundër Coldplay?
Në mes të zhurmës mediatike, u përfol se Byron po shqyrton mundësinë për të ndërmarrë veprime ligjore, madje edhe kundër grupit Coldplay, për shfaqjen e pamjeve.
Megjithatë, ekspertët ligjorë e hedhin poshtë çdo mundësi të tillë. Avokati Ron Zambrano, nga “West Coast Employment Lawyers” në Los Anxhelos, u shpreh prerazi:
“Çdo pretendim ligjor i Byron do të hidhej menjëherë poshtë. Nuk ka asnjë bazë për një padi.”
Zambrano argumenton se kjo do të konsiderohej si cenim i lirisë artistike dhe krijuese së grupit gjatë performancës së tyre. Ai shton se Byron dhe Cabot nuk kishin asnjë të drejtë për privatësi, pasi ndodheshin në një event publik dhe veprimet e tyre ishin të vetëdijshme.
Në të njëjtën linjë është edhe avokati Tre Lovell nga firma ligjore “Lovell Firm”:
“Në një hapësirë publike nuk mund të pretendosh privatësi. Çdokush ka të drejtë të të fotografojë apo të të filmojë.”