Me gjithë thirrjen e MPJ-së, qytetarët vazhdojnë ta shfrytëzojnë Serbinë si transit

Me gjithë thirrjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme që të shmanget Serbia si vend transit, qytetarët vazhdojnë të shfrytëzojnë këtë shtet për të ardhur në Kosovë.

Në përditësimin e fundit Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka njoftuar se pritjet në pikëkalimet kufitare në Merdar dhe te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë janë dy orë. Ndërsa, në Muçibabë pritjet për të hyrë në Kosovë janë 40-45 minuta.

Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare nuk ka pritje më të gjata se 15 minuta.

Të enjten, Ministria e Punëve të Jashtme u bëri thirrje qytetarëve të shmangin Serbinë si vend transit, pas rastit të vrasjes së një polici serb në Lloznicë. Sipas autoriteteve të Serbisë, dorasi është Faton Hajrizi, i arratisur nga burgu i Smrekonicës dy javë më parë. Po sipas autoriteteve të Serbisë, ai është vrarë gjatë së premtes në tentim për ta kapur atë.

 

Back to top button