Me kë përballet Kosova nëse e eliminon Sllovakinë?

Shorti i Play-Off-it për Kupën e Botës 2026 ka zbuluar jo vetëm kundërshtarin e parë të Kosovës, por edhe skenarin e mundshëm të finales. Pas vendimit të hedhur sot, Dardanët do të ndeshen fillimisht me Sllovakinë në gjysmëfinale, sfidë që do ta luajnë si mysafir.
Por ajo që tërheq edhe më shumë vëmendje është rruga që i pret në rast të një suksesi në këtë duel. Nëse Kosova arrin ta eliminojë Sllovakinë, atëherë në finalen e Play-Off-it do të përballet me fituesin e duelit mes Turqisë dhe Rumanisë – një sfidë e madhe që do të vendosë fatin e biletës për Kampionatin Botëror 2026.
Dardanët vijnë në këtë fazë pas një cikli shumë të mirë kualifikues, ku u renditën të dytët në grup me 11 pikë, vetëm tre më pak se Zvicra, duke siguruar pjesëmarrjen e tyre të parë historike në Play-Off.
Gjysmëfinalja luhet më 26 mars, ndërsa finalja e madhe, ku potencialisht i pret Turqia ose Rumania, zhvillohet më 31 mars 2026.