Me më pak se 2 Euro në ditë jeton 18% e popullsisë në Kosovë

Rreth 25 mijë familje marrin asistencë sociale

Sipas Bankës Botërore në Kosovë, 18 përqind e popullsisë jeton me më pak se dy euro në ditë.

Numri i familjeve me gjendje të rëndë ekonomike që marrin asistencë sociale nga buxheti i Kosovës, arrin në rreth 25 mijë, me rreth 110 mijë anëtarë.

Vetëm në skemën e ndihmës sociale, që jepet për familjet që jetojnë në kushte të rënda ekonomike, sipas raportit gjashtëmujor të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, janë të përfshirë rreth 25 mijë familje. Numri më i madh i familjeve është nga Komuna e Mitrovicës, me 2 mijë e 324 familje apo mbi 9%, nga numri i përgjithshëm.

Sipas ligjit, këto familje, si pjesë e skemave sociale, marrin një pagesë prej 50 deri në 150 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.

Shporta mujore e një qytetari në Kosovë llogaritet të jetë 115 euro, konsumi për ekonomitë familjare mbi 7500 euro në vit, shumë kjo që nuk siguron një standard të mirë jetësor për qytetarët.

Sipas Kombeve të Bashkuara, 17 tetori i çdo viti shënon Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë.

Që prej vitit 1993, kjo ditë ndërgjegjëson njerëzit për nevojën e zhdukjes së varfërisë në mbarë botën dhe veçanërisht në vendet në zhvillim./21Media

Back to top button