Haradinaj, Mehajt: Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut!

(Lajm i përditësuar)


Haradinaj, Mehajt: Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas dorëheqjes së Armend Mehajt nga pozita e ministrit të Mbrojtjes.

Përmes profilit të tij në Facebook, Haradinaj ka shprehur falënderimin për tani ish-ministrin Mehaj.

“I nderuar ministër Mehaj, faleminderit për shërbimin ndaj atdheut!”, ka shkruar Haradinaj.


Mehaj dha dorëheqje pasi gruaja e tij do të trajtohet për një sëmundje në Oslo, thonë nga Qeveria

Pas spekulimeve të shumta se pse Armend Mehaj dha dorëheqje nga posti i Ministrit të Mbrojtjes, zëdhënsi i Qeverisë, Përparim Rama, tha se Mehaj dha dorëheqje për shkak se gruaja e tij është diagnostifikuar me një sëmundje të rrallë dhe për këtë ajo do të trajtohet në një qytet tjetër dhe jo në Oslo të Norvegjisë, aty ku jeton familja e tij. Andaj, sipas përgjigjes së Kryeziut dërguar RTV21, Mehaj u tërhoq pasi i duhet të qëndroj pranë familjes së tij.

“Ministri Armend Mehaj ka kërkuar lirim nga detyra për shkaqe familjare. Gruaja e tij është diagnostifikuar me një sëmundje të rrallë dhe për çka i duhet tretman dhe kujdes në një qytetet tjetër nga ai i Oslos. Çifti i ka tri vajza të moshës së mitur dhe ministri Mehaj ka kërkuar që të ndodhet pranë familjes në këtë kohë”, thuhet në përgjigjen nga Qeveria.


Hovenier e falënderon Mehajn për shërbimin e tij dhe bashkëpunimin

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, është takuar me tani ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, të cilin tha se e falënderoi për shërbimin e tij, bashkëpunimin dhe partneritetin e ngushtë.

“Vlerësoj mundësinë për të falënderuar ish-ministrin e Mbrojtjes Mehaj për shërbimin e tij dhe bashkëpunimin dhe partneritetin tonë të ngushtë gjatë mandatit të tij. I uruar atij gjithë të mirat në angazhimet e tij të ardhshme”, shkroi Hovenier në Twitter.


Ejup Maqedonci: Synim mbetet forcimi i FSK-së, anëtarësimi në NATO

Ministri i ri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci me të marrë detyrën thotë se është i nderuar që iu ka besuar ky post.

Ai po ashtu tha se ndihet i privilegjuar që është vendosur në krye të këtij dikasteri.

“Pasi e ka liruar nga detyra ministrin e deritanishëm Armend Mehajn, në një takim të përbashkët edhe me Komandantin e FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, Kryeministri Albin Kurti më ka ngarkuar mua me detyrën e Ministrit në Ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës. Me këtë rast, dua ta falënderoj Kryeministrin Kurti për besimin dhe mbështetjen e deritanishme dhe të mëtutjeshme ndaj meje!

Jam i nderuar dhe i privilegjuar të vihem në krye të dikasterit qeveritar që i bën politikat e mbrojtjes dhe të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, trashëgimtares së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga 18 marsi i vitit 1998 kur e kam veshur uniformën e UÇK-së dhe deri më 10 korrik 2023 kur jam demobilizuar nga FSK-ja, jam përpjekur me tërë kapacitetet dhe qenien time fillimisht për lirinë e Kosovës dhe deri sot për ndërtimin e ushtrisë së saj. Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës jam në shtëpinë time, andaj ishte aq i natyrshëm pranim dorëzimi i detyrës sot në mesditë nga ish-Ministri Armend Mehaj në prani të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharit. E falënderoj ish-Ministrin Mehaj për bashkëpunimin veçanërisht në periudhën e fundit.”, shkroi Maqedonci.

Ai po ashtu  tregoi edhe synimet e tij si Ministër i Mbrojtjes.

“Pas 25 vitesh me uniformë, nga sot ka nisur një kapitull i ri për mua si ushtarak, por që mbetet brenda të njëjtës shtëpi dhe me të njëjtat synime: forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimin e shtetit tonë në NATO, krah partnerëve tanë dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ju falënderoj të gjithëve për urimet që më keni dërguar. Shumë punë na presin përpara, bashkë me Kryeministrin Albin Kurtin, me Komandantin Bashkim Jasharin dhe me institucionet e Republikës së Kosovës. “, tha ai.


Abbott: Më vjen keq të dëgjoj se Armend Mehaj ka dhënë dorëheqje

Pas dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott

Abott ka thënë se i vjen keq që ministri Mehaj ka dhënë dorëheqjen, derisa ka shprehur mirënjohje për kontributin e tij në fushën e mbrojtjes.

“Më vjen keq kur dëgjoj se Armend Mehaj ka dhënë dorëheqjen si ministër i Mbrojtjes. I jam mirënjohës për kontributin e tij pozitiv në marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes mes Britanisë së Madhe dhe Kosovës, gjatë 2 e gjysmë viteve të fundit dhe i uroj çdo të mirë në të ardhmen”, ka shkruar Abott në Twitter.

Ish ministri Mehaj ka dhënë dorëheqjesoy. Në vend të tij është emëruar koloneli Ejup Maqedonci.


Mehaj deklarohet për dorëheqjen

Për dorëheqjen nga postii Ministrit të Mbrojtjes,  ëshë deklaruar edhe vet Armend Mehaj

Ai tha se kjo ka ardhur për  arsye familjare.

“Sot, më 08 gusht 2023, në mirëkuptim dhe mirëbesim të plotë, me kërkesën time, Kryeministri Albin Kurti më ka liruar nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës! Kjo kërkesë prej anës sime, ka ardhur për arsye familjare, për të cilat e kam njoftuar Kryeministrin Kurti, me kohë që më parë. Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mehaj, në pozitën e të cilit të martën Kurti ka emëruar kolonelin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci.

Mehaj në një postim në Facebook ka treguar për punët që sipas tij janë kryer për kohën sa ai e ka udhëhequr Ministrinë.


Kurti konfirmon dorëheqjen e Mehajt, emëron Maqedoncin Ministër të ri të Mbrojtjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e konfirmoi dorëheqjen e Armend Mehajt nga posti i Minsitrit të Mbrojtjes. Ai tha se arsyet e dorëheqjes së tij janë familjare.

“Sot, me kërkesë të ministrit të mbrojtjes, Armend Mehaj, kam pranuar dorëheqjen e tij. Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës.”, shkroi Kurti në Facebook, përcjell portali rtv21.tv

I pari i Qeverisë po ashtu njoftoi se emëroi ministër të ri , Ejup Maqedoncin.

“Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë.Me këtë rast zhvilluam një takim të përbashkët edhe me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.”, tha Kurti.


E konfirmon Maqedonci:  Do të jem ministër i Mbrojtjes

Kolonel Ejup Maqedonci do të jetë ministër i ri i Mbrojtjes në Qeverinë Kurti. Këtë e ka konfirmuar vetë ai për KosovaPress.

Së fundmi, Maqedonci ishte oficer me përgjegjësi primare për ushtrimin e madh “Defender Europe 23”.

Maqedonci, i cili ka përvojë të gjatë ushtarake, ka shërbyer edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.


Mehaj kërkon angazhim në misione ndërkombëtare, shfaq pakënaqësi me Kurtin

Dorëheqja e Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, u bë sipas paralajmërimeve në gusht, sado që ka muaj që ministri është në kërkim të një angazhimi tjetër.

Burime të RTV21 thonë se Mehaj ka kërkuar nga organizatat ndërkombëtare një letër rekomandim për t’u angazhuar në misionet ndërkombëtare ushtarake në ndonjë vend tjetër në botë. Aktualisht, thonë burimet, nuk ka një angazhim për Ministrin kudo qoftë në misionet ndërkombëtare dhe nuk ka patur një rekomandim për të.

Burimet e RTV21 thonë se kërkesa e Mehajt për largim nga Ministria vjen edhe për faktin se ai ka shfaqur pakënaqësi me politikat e shefit të tij, kryeministrit Kurti, në veçanti prej përshkallëzimeve të marrëdhënieve me bashkësinë ndërkombëtare.

Mehaj, i paraqiti dorëheqjen Kurtit në fiillim të gushtit me arsyet familjare dhe e njëjta u pranua nga kryeministri.

Armend Mehaj, një shtetas norvegjez me prejardhje nga Kosova, u emërua në detyrën e Ministrit në fillim të mandatit të Qeverisë Kurti, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021.


Televizioni publik: Kurti ka pranuar dorëheqjen e Ministrit Mehaj

Në Qeverinë Kurti së shpejti do të ketë ndryshime. Ministri i deritashëm i Mbrojtjes Armend Mehaj, do të zëvendësohet nga koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci.

Burimet e RTKlive thonë se për ministrin Mehaj ende nuk dihet nëse do të transferohet në ndonjë pozitë në institucionet e Kosovës, apo do të kthehet në vendin ku ka jetuar e punuar në Norvegji.

Të njëjtat burime konfirmojnë se kryeministri Kurti ka pranuar dorëheqjen e ministrit Mehaj, i cili ka kërkuar lirimin nga detyra. Sipas burimeve të RTKlive, Mehaj ka ofruar dorëheqje për arsye familjare.

Lidhur me këtë portali rtv21.tv është në pritje të përgjigjes nga Ministria e Mbrotjes dhe Qeveria e Kosovës.

Back to top button