Mehaj ul shpenzimet në prokurim

 

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se ka rishqyrtuar planifikimet në fushën e prokurimit dhe financave, kjo me qëllim të racionalizimit të shpenzimit të parasë publike si dhe me qëllim që të shtohen kapacitetet operacionale të FSK-së.

Mehaj tregon se ka ri-aranzhuar planin vjetor të prokurimit dhe shpenzimet për një numër të caktuar të aktiviteteve të prokurimit.

“Në kuadër të skanimit të situatës në Ministrinë e Mbrojtjes, kam rishqyrtuar aspektet e planifikimeve në fushën e prokurimit dhe financave. Me qëllim të racionalizimit të shpenzimit të parasë publike, si dhe me qëllim që të shtohen kapacitetet operacionale të FSK-së, kam ri-aranzhuar planin vjetor të prokurimit dhe shpenzimet për një numër të caktuar të aktiviteteve të prokurimit. Aktivitetet e planifikuara të cilat kishin në fokus reprezentacionin, shpenzimet për mirëmbajtje të automjeteve, shpenzimet për blerjen e automjeteve dhe shpenzimet e marketingut, janë ri-aranzhuar me qëllim të vënies së fokusit në nevojat operacionale dhe blerjeve ushtarake për FSK-në”, ka thënë Mehaj.

Ai tha edhe se vlera e ri-aranzhuar është 1,5 milionë euro, ndërsa nga procesi i rishikimit gjithashtu do të shqyrtohen dhe zvogëlohen shpenzimet edhe për kontratat ekzistuese deri në nivelin 1 milion euro.

“Me këtë rast, kam vendosur që kjo vlerë të planifikohet për të krijuar një mundësi të sigurt të transportit për të gjithë pjesëtarët e FSK-së. Për vlerën prej 2,5 milionë euro, të cilën kemi arritur ta kursejmë nga plani i shpenzimeve për kontratat ekzistuese dhe aktivitetet e prokurimit për 2021, do të bëjmë blerje të autobusëve të rinj, për të krijuar lehtësi në operacionalitetin dhe transportin e secilit pjesëtarë, gjithandej Kosovës. Të njëjtat ndryshime do të reflektohen në procesin e rishqyrtimit buxhetor për vitin 2021, ndërsa për periudhën e ardhshme të planifikimit buxhetor në vitin 2022, ku buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes është rritur në vlerën 106 milionë euro, do të jetë në fokus blerja e pajisjeve ushtarake për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së”, ka thënë Mehaj.

Ai ka treguar se blerjet ushtarake ekskluzivisht do të bëhen përmes programeve për blerje ushtarake “shtet me shtet” dhe programin amerikan FMS për të siguruar maksimizim të shpenzimeve buxhetore përmes një procesi kredibil dhe transparent.

Back to top button