Mërgimtarët ankohen, Gjermania nuk njeh patentë shoferët!

Shteti gjerman nuk po ua pranon patentë shoferët mërgimtarëve të Maqedonisë

Urim Ajdari nga Shkupi i cili jeton në Baden Wurtenberg të Gjermanisë, po ankohet për shkak të mos pranimit të lejes së vozitjes nga ana e autoriteteve gjermane. Ai në vitin 2015 ka migruar në shtetin gjerman dhe se vetëm gjashtë muaj ka shfrytëzuar të drejtën e patentë shoferit të cilën e ka marr në Shkup. Në mungesë të shfrytëzimit të patentë shoferit ai është i detyruar që të udhëtojë me Tramvaj. Sipas tij, autoritetet gjermane kërkojnë që përsëri t’i nënshtrohet testit të vozitjes. Por Hajdari thotë se marrja e lejes së vozitjes në Gjermani duke nisur testet nga e para, është shpenzim i madh financiar por edhe ngarkesë kohore dhe njëkohësisht pengesë për realizimin e obligimeve profesianale dhe private.

“Lejen e vozitjes të Maqedonisë e kam shfrytëzuar vetëm 6 muaj pasi që vetëm aq na e kanë pranuar. Pas gjashtë muajve na thanë që duhet të hymë në procedurë të rregullt e kjo është e  tepërt për ne pasi që kërkon shumë kohë, por edhe kushton shumë. Kërkojmë prej autoriteteve shtetërore të Maqedonisë, të na dalin në ndihmë dhe ta shohin se deri ku është kjo procedurë. E kemi filluar një iniciativë të mbledhjes së nënshkrimeve, por se sa do të na ndihmon ajo nuk e dimë”, tha ai.

Për të alarmuar këtë problem, një grup njerëzish nga Shkupi, po mbledhin nënshkrime dhe përmes këtij peticioni thonë se do kërkojnë nga qeveria gjermane pranimin e patentës së shoferit të Maqedonisë. Ata u bëjnë thirrje të gjithë shtetasve të Maqedonisë që të japin sa më shumë nënshkrime që ta plotësojnë numrin e caktuar që do t’i shpije drejt një hapi të suksesshëm.

“Ne përmes peticionit nuk kemi qëllim që të bëjmë presion por që të bëjmë me dije se 50 mijë nënshkrime është një numër që kërkohet që të zgjidhet problemi i cili me vite zvarritet. Tani janë mbledhur rreth 22 mijë nënshkrime, duhet të mbledhim 50 mijë që peticioni të jepet aty ku duhet në Gjermani që të shqyrtohet. Apelojmë deri te të gjithë që të përkrahin këtë iniciativë sepse është interes i të gjithëve”, tha Risto Karaçanakov.

“Numri i qytetarëve të cilët vijnë që të nënshkruajnë secilën ditë është në rritje dhe apelojmë deri te të gjithë qytetarët e RM-së që të vijnë këtu në qendrën tregtare “Ramstor” dhe ta japin nënshkrimin e tyre pasi që është shumë i rëndësishëm”, tha Vesna Avramovska.

Ndërkohë, nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se procedura për nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët me qëllim të njohjes së patentave të shoferëve mes Maqedonisë dhe Gjermanisë ende është në zhvillim e sipër.

“Duke e marrë parasysh se më herët nuk morëm përgjigje pushteti gjerman, më 13 qershor të vitit 2017 përmes rrugë diplomatike përsëri dërguam letër për ndërhyrje, me qëllim që të hyjmë në kontakt direkt me pushtetin gjerman që të përshpejtojmë procedurën rreth nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët”.

Nëse nuk zgjidhet kjo punë, shtetasit e Maqedonisë që jetojnë në Gjermani për të marr patentë shoferin nga e para, duhet të paguajnë më së paku 2000 euro. Ky rregull nuk vlen vetëm për Maqedoninë, por edhe për shtetet tjera të cilat nuk kanë nënshkruar marrëveshje reciproke për pranimin e lejeve të vozitjes me Gjermaninë. Numri i shtetasve të Maqedonisë të cilët jetojnë dhe punojnë në Gjermani viteve të fundit është rritur dukshëm. Flitet për një shifër që ka arritur rreth 100 mijë njerëzve, raporton TV21./21Media

 

https://youtu.be/J0toGmCCCqY?t=11

Back to top button