Merz: Gjermania duhet të bojkotojë Eurovisionin nëse Izraeli përjashtohet

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë se Gjermania duhet të tërhiqet nga konkursi i ardhshëm i këngës në Eurovision nëse Izraeli përjashtohet.

I pyetur në një intervistë në televizionin ARD nëse Gjermania duhet të tërhiqet vullnetarisht nga çështja, politikani u përgjigj: “Do ta mbështesja këtë. Mendoj se është skandal që po diskutohet. Izraeli e ka vendin atje”.
Presioni mbi organizatorët e konkursit muzikor është shtuar prej javësh, me disa transmetues, përfshirë ata nga Spanja, Irlanda dhe Holanda, që kërcënojnë me bojkot nëse Izraelit nuk i ndalohet pjesëmarrja.

Austria, si vendi pritës i Festivalit të Këngës në Eurovision të këtij viti, shprehu keqardhje për një qëndrim të tillë, dhe Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Sepp Schellhorn, i tha Kurier: “Bojkotet kulturore janë budallallëqe dhe të kota, ato nuk na ndihmojnë të ecim përpara”.

Ju kujtojmë se organizatorët e Festivalit të Këngës në Eurovision njoftuan në fund të shtatorit se transmetuesit e Unionit Evropian të Transmetimeve do të votojnë në nëntor për përjashtimin e Izraelit nga konkursi i vitit të ardhshëm, pasi një numër vendesh kërcënuan me bojkot nëse kjo nuk do të ndodhte.

Back to top button