Meta fillon t’i përjashtojë fëmijët australianë nga Instagram dhe Facebook

Meta ka filluar t’i largojë fëmijët australianë nën 16 vjeç nga platformat Instagram, Facebook dhe Threads, një javë para se të nisë zbatimi i ndalimit zyrtar të mediave sociale për adoleshentët,ka raportuar të enjten (04.12.2025) BBC.
Gjigandi i teknologjisë ka njoftuar muajin e kaluar se kishte nisur t’i njoftonte përdoruesit e moshës 13 deri në 15 vjeç se llogaritë e tyre do të fillonin të mbylleshin nga 4 dhjetori.
Rreth 150 mijë përdorues përdorues të Facebookut dhe 350 mijë llogari të Instagramit pritet të preken prej këtij vendimi. Threads, të ngjashme me X, mund të qasen vetëm nëpërmjet një llogarie Instagrami.
Ndalimi i mediave sociale, i pari në botë në Australi, fillon më 10 dhjetor, me kompanitë që përballen me gjoba deri në 33 milionë dollarë amerikanë nëse nuk ndërmarrin “hapa të arsyeshëm” për të ndaluar personat nën 16 vjeç të kenë llogari.
Një zëdhënëse e Metës i ka theksuar BBC-së të enjten se “zbatimi i ligjit do të jetë një proces i vazhdueshëm dhe shumështresor”.
“Ndërsa Meta është e përkushtuar për të zbatuar ligjin, ne besojmë se nevojitet një qasje më efektive, e standardizuar dhe që ruan privatësinë”, ka deklaruar ajo.
Qeveria duhet t’u kërkojë dyqaneve virtuale të aplikacioneve të verifikojnë moshën e përdoruesve kur shkarkojnë aplikacione dhe të kërkojnë miratimin prindëror për personat nën 16 vjeç, ka njoftuar Meta, pasi kjo do të eliminonte nevojën që adoleshentët të verifikojnë moshën e tyre në aplikacione të ndryshme.
Meta ka njoftuar muajin e kaluar se përdoruesit që i kishte identifikuar si nën 16 vjeç do të mund të gjendje të shkarkonin dhe ruanin postimet, videot dhe mesazhet e tyre përpara se llogaritë e tyre të çaktivizoheshin.
Adoleshentët që besojnë se janë kategorizuar gabimisht si nën 16 vjeç mund të kërkojnë shqyrtim dhe të paraqesin një “video selfie” për verifikimin e moshës së tyre. Ata gjithashtu mund të paraqesin një patentë shoferi ose një dokument identifikimi të lëshuar nga qeveria.