Meta: Shqipëria ka nevojë për një drejtim të ri
Meta tha se LSI do të jetë forca e parë që të garantojë një drejtim të ri
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta tha sot se bashkëjetesa ndëretnike është një nga pikat kryesore të programit të LSI-së, e cila duhet zhvilluar dhe ruajtur si garant i stabilitetit të vendit.
Ai këto komente i bëri gjatë një takimi që Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi me banorët e Pustecit ku prezantoi kandidatët për deputet në qarkun e Korçës. “Ne besojmë se Shqipëria është më e bukur, është më shpresëdhënëse, kur jemi të gjithë bashkë, por edhe kur këtë larmi të madhe, edhe kulturore, edhe etnike edhe fetare ne e ruajmë dhe e zhvillojmë si drita e syve”, tha ish-kreu i LSI-së.
Ai tha se LSI ka vetëm tre tabu që nuk preken, stabiliteti i Shqipërisë, marrëdhëniet me fqinjët dhe integrimi evropian i vendit. Meta theksoi se Shqipërisë i duhet një drejtim i ri, që synon zgjidhjen e problemeve më jetike të qytetarëve shqiptare.
“Ndaj duhet një drejtim i ri për Shqipërinë, ndaj LSI do të jetë forcë e parë që të garantojë një drejtim të ri, i cili synon të zgjidh problemet më jetike të gjithë qytetarëve që jetojnë në Shqipëri”, tha Meta.