‘Metropol’ u prezantua në Talia me shfaqjen “GOFI”

Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës”, njëra ndër katër shtyllat e manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2022” ka vazhduar rrugëtimin e saj me shfaqjen e natës së parafundit, ku në skenën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit erdhi Teatri “Metropol” nga Tirana me shfaqjen “GOFI” të Anton Pashkut, me dramaturgji dhe regji nga Shkëlzen Berisha.
“GOFI”, e cilësuar si vepra e parë shqiptare e absurdit, e që në rrafsh formal, stilistik e tipologjik është unike, erdhi sonte për artdashësit gjilanas e më gjerë, duke e pasuruar me konvencione të reja dramaturgjikisht dhe për nga teknikat regjisoriale.
“Nën këtë dritë të re dramaturgjike ngjarjet na çojnë në një kasolle malit përpjetë, ku kanë mbetur të ngujuar tre alpinistë, që ishin nisur për të shkuar në Bjeshkët e Nemuna, e që të izoluar nga orteku dhe në përpjekje për të mbushur kohën e pritjes, ata përshkojnë një rrjedhë historike të jetës së shqiptarëve ndër shekuj dhe përplasjeve të mëdha që kanë shoqëruar këtë histori, të ngjarjeve më të mëdha që shqiptarët kanë kaluar e deri më sot. Mes durimit e mosdurimit të personazheve shfaqen copëza të shkëputura nga fjalimet e Skënderbeut, periudha e pashallëqeve, gjurmë të përpjekjeve për shtet, pjesë nga luftërat me të huajt, moskuptime mes vetes…”, përshkruhet shfaqja.
Përndryshe, në shfaqjen “Gofi” luajtën Amri Hasanlliu, Endrit Ahmetaj, Julian Hurdha.
Në mbrëmjen e fundit, më 28 janar, pritet të jepet shfaqja “Stiffler” nga Doruntina Basha, me regji të Kushtrim Koliqit, prodhim nga “Integra”, ku edhe do të bëhet ndarja e çmimeve të parapara dhe do të përmbyllet Festivali i sivjetmë i Dramës Shqipe, por jo edhe aktivitetet e “Flakës…”, që do të vazhdojë deri më 31 janar, me Festivalin e muzikës për fëmijë dhe  muzikës popullore si dhe Orën e Madhe Letrare. /21Media

Back to top button