“Mielli, sheqeri, vaji nuk janë sekret shtetëror”

Njohës të çështjeve ligjore vlerësojnë se furnizimi me rezerva shtetërore nuk është sekret shtetëror por, siç thonë vendndodhja e tyre dhe mënyra e përdorimit janë sekrete shtetërore. Deklaratat pasuan refuzimin e ministres së tregtisë Rozeta Hajdari që të përgjigjet për rezervat shtetërore duke i cilësuar sekret shtetëror.

“Të lutem mbylle këtë temë se është sekret shtetëror”. Kjo ishte përgjigja e ministres Hajdari rreth aferës së pretenduar me rezervat shtetërore, kur policia e Kosovës një vit më parë arrestoi afaristin Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarë të ministrisë së tregtisë nën dyshimin për manipulime me rezervat. Dosja e prokurorisë u bë publike në detaje por ministrja Rozeta Hajdari, po vazhdon ta trajtojë këtë si sekret shtetëror.

Ish-ministri i financave Haki Shatri, tha se furnizimet me rezerva shtetërore nuk kanë të bëjnë me sekret shtetëror.

“Ligji është i miratuar në vitin 2010 ku e parasheh se çka është sekret shtetëror e çka jo. Furnizimi sipas ligjit nuk është sekret shtetëror”, tha Shatri.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se ministra e tregtisë bleu 52.2 tonë grurë, 200 mijë litra vaj dhe 120 kg sheqer në vlerë mbi 600 mijë euro të cilat nuk erdhën asnjëherë në Kosovë pavarësisht se ishin paguar. E gjithë veprimtaria u krye përmes afaristit të afërt me qeverinë, Ridvan Muharremni.

Avokati Ardian Bajraktari, për rtv21 thotë se përveç mënyrës së si menaxhohen rezervat shtetërore dhe vendndodhjes së tyre asgjë tjetër nuk është sekrete.

“Sa i përket çështjes së furnizimit dhe procedurave, ato janë të hapura dhe parashihen në nenin 20, të ligjit, i cili ndër të tjera thekson se blerja e çdo artikulli të rezervave shtetërore të mallrave duhet të parashihet në mënyrë specifike në ligjin përkatës vjetor për ndarjet buxhetore”, tha Ardian Bajraktari, avokat.

Prokuroria Speciale ka marr në pyetje edhe ministren Rozeta Hajdari dhe në bazë të publikimeve të dokumenteve zyrtare thuhet se ajo ishte përfshirë në negociimin e furnizimit me rezerva shtetërore. Ministrja ka vazhduar të mohojë përfshirjen në aferën e pretenduar.

Duke iu përgjigjur kërkesave të ministres për mbylljen e temës, drejtori i institutit për drejtësi në Kosovë, Ehat Miftari, ka shkruar se korrupsioni nuk kalon.

“Miliona Eurot e taksave te qytetareve te Kosoves per blerjen e rezervave shteterore te klasifikuara si sekret shteterore i kishin ofruar qasje nje bukepjekesi. Lufta hibride nga shpura e Albin Kurtit vazhdon. Korrupsioni nuk kalon”, tha Miftari.

Problemi me rezervat shtetërore që u ngrit verën e kaluar nuk ka pushuar ndërkohë që një vendim tjetër i Qeverisë së Kosovës për furnizim me rezerva shtetërore për vitin 2024 në një vlerë prej 4 milionë eurosh është shpallur ditë më parë. Vendimi u mor në një mbledhje të mbyllur të Qeverisë së Kosovës, por shpallja e tenderit thuhet të jetë bërë në mënyrë të hapur.

“Sepse edhe ligji nuk ka ndryshuar çdo veprim ndryshe bie në kundërshtim me ligjin pra tenderi duhet të jetë i hapur”, tha avokati Ardian Bajraktari për rtv21.

Megjithëse ministrja Hajdari provoi ta mbyllte temën e rezervave shtetërore madje edhe me urdhërin në studio televizive që të të mos trajtohet tutje kjo cështje, megjithatë prokuroria speciale e Kosovës ka vazhduar ta trajtojë cështjen me personin më të përfolur në këtë rast, afaristin Ridvan Muharremi./RTV21/21Media

Back to top button