Miftaraj: Në bazë të informatave, del se autopsia ka përcaktuar se viktima është ngufatur nga policia

Rasti i vdekjes së një 27-vjeçari në Lipjan gjatë arrestimit nga policia po hetohet, ndërsa përflitet se shkak mund të ketë qenë ngufatja.
Flamur Dylhasi, mjek në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku është kryer autopsia e viktimës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund ta pohojë e as mohojë shkakun e vdekjes, pasi ai komunikon vetëm me prokurorinë.
Por, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se ka informacione që e lidhin drejtpërdrejt vdekjen e të riut me veprimet e policisë gjatë arrestimit.
“Në bazë të informatave që na kanë ardhur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, del se autopsia ka përcaktuar se viktima është ngufatur nga policia. Do të thotë, policët kanë ndikuar – në njëfarë mënyre – në vdekjen e të riut”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Rasti ndodhi në orët e para të 7 korrikut në Lipjan – komunë në pjesën qendrore të Kosovës.