Mijëra qytetarë marshojnë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së

(Lajm i përditësuar)

Përfundon marshi, në skenë ngjiten familjarët e Thaçit, Veselit dhe të tjerëve

Ka përfunduar marshi për krerët e UÇK-së në Prishtinë.

Pak para mbylljes, në skenë kanë dalë familjarët e krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Në tubimin e sotëm kanë marrë pjesë një numër jashtëzakonisht i madh i njerëzve.

Krasniqi: Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi do të rikthehen fitimtarë, siç erdhën dikur si çlirimtarë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi nga Sheshi “Skenderbeu” në Prishtinë, në një fjalim para mijërave qytetarëve, tha se sot “Marshojmë për Drejtësi” për t’u solidarizuar me çlirimtarët tanë, duke besuar fuqishëm se ata do të rikthehen fitimtarë.

“Sot, ballëlartë e me zemër plot, marshojmë krenarë, për ata që dikur marshuan drejt lirisë. Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që nga nesër do të përballen më një proces gjyqësor, në të cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë. Marshojmë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre që sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë për liri. Dhe duke besuar fuqishëm në drejtësi, nuk kemi dyshim se do të rikthehen si fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë, sepse janë heronj të gjallë, që përveç lirisë, s’kanë pasur një mision të dytë dhe përveç pavarësisë, s’kanë pasur një projekt rezervë. Sot, ne solidarizohemi me ta, sepse ata janë pasqyra e një rrugëtimi historik e kombëtar, demokratik e qytetërues, por që s’ka përfunduar akoma”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi kërkoi drejtësi për të vërtetën dhe historinë e popullit tonë, të cilat, siç tha ai, askush, kurrë dhe me asgjë, nuk do të mund t’i ndryshojë e t’i shtrembërojë.

Kreu i PDK-së ka ftuar qytetarët ta ruajnë frymën e unitetit, për ta ripërtrirë përkushtimin për Kosovën, të cilën çlirimtarët e kanë ëndërruar.

“Ju ftoj që ta ruajmë frymën e unitetit brenda nesh, që ta ripërtërijmë përkushtimin tonë për Kosovën që e duam për vete e për fëmijët tanë, për Kosovën të cilën çlirimtarët e kanë ëndërruar dhe të cilën e kemi borxh që ta bëjmë realitet. Vetëm kështu do t’u dalim hakut atyre që dhanë gjithçka për lirinë dhe shtetin tonë. Ky duhet të jetë nderimi ynë për gjeneratat që trasuan rrugën e lirisë sonë. Ky është obligimi që kemi edhe ndaj Hashimit, Kadriut, bacës Jakup, Rexhës, Calit, Hysit, Nasimit e Pjetrit. Dhe kjo duhet të jetë rruga jonë e përbashkët për Kosovën e ëndërrave tona. Për Kosovën që na bashkon e në të cilën DIELLI DO TË LIND PËRSËRI. Lavdi e përjetshme për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. Drejtësi për çlirimtarët tanë”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se lavdia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund pakësohet me kalimin e viteve, e as nuk tjetërsohet me ndryshimin e gjeneratave.

“Kjo pamje, është mesazhi më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë, se liria jonë ka emër, dhe se lavdia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk pakësohet me kalimin e viteve, e as nuk tjetërsohet me ndryshimin e gjeneratave. Dhe se çdo gjeneratë e së ardhmes, do ta ketë po të njëjtin emocion si gjeneratat e të sotmes, sa herë që i thërret tri shkronjat e arta të lirisë sonë: U Ç K!”, tha lideri i PDK-së.

Qerkini: Po iu tregojmë atyre që nuk marrin vesh se Liria ka emër

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Pagjetur, Bajram Qerkini, ka folur para masës së madhe në protestën për krerët e UÇK-së në Hagë.

“Mashallah me dalë me fol para kësaj mase kaq të madhe. Mashallah e keni bërë më të bukur Prishtinën me iu tregu atyne që nuk po marrin vesh se Liria ka emër. Ky popull është hala i fortë. Sikur që jemi edhe na të fortë. Ju jeni ata që na keni shpëtu”, tha Qerkini.

Ai i përmendi edhe viktimat dhe të pagjeturit.

“I kemi 11 mijë viktima. Vetëm ju e dini çka do të thotë me i shpëtu krejt ato familje prej tmerrit”, tha Qerkini.

Qerkini përmendi me emër të gjithë pjesëtarët e UÇK-së të akuzuar nga Specialja.

“UÇK-ja na bashkoi sot dhe doli dielli” 

Dy organizatorët e Marshit për Drejtësi” Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha kanë mbajtur fjalimet e tyre para qytetarëve në sheshet e Prishtinës.

Tasholli ka sjellur një rrëfim në fëmijërinë e tij, që sipas tij, dëshmoi sesa ishin të rëndësishëm ushtarët e UÇK-së.

“Unë kam qenë 13-vjeç kur për herë të parë kam pa në uniformë ushtarin e UÇK-së. Axha Nagip. Si fëmijë nuk arrija ta kuptoja krejt peshën e asaj që po ndodhte për një gjë ishte e qartë për mua atë botë, si në filma epik ishte një betejë mes të mirës dhe të keqes. Mes lirisë dhe robërisë. Mes jetës dhe vdekjes. Unë sikurse të gjithë moshatarët e kam ndjerë në palcë pabarazëinë, mbylljen e shkollave, dëbimin nga shtëpia. E ushtari i lirisë e kishte marrë trajtën e një super-heroi magjik. Ata në Hagë do të na kthehen fitimtar e faqebardhë. Ne sot u bëmë bashkë dhe siç e shihni doli dielli”, tha Tasholli.

Ndërsa, Eliza Hoxha deklaroi se plaga e Kosovës vazhdon të mbetet e hapur.

“Gjatë këtyre dy javëve e kam rijetuar historinë tonë. Në dhimbjen e Ferdonijes, në guximin e Vasfijes. E kam parë e ndjerë se sa e gjallë e ndjerë vazhdon të jetë plaga jonë dhe thirrja jonë për drejtësi”, tha ajo.

#LIVE – Filloi marshi për drejtësi

Marshi për Drejtësi ka nisur sot me një numër të madh të qytetarëve të cilët dolën për të mbështetur luftën e drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.

Marshi ka nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”. Po ashtu, do të ketë fjalime nga organizatorët e marshit.

“Historia jonë nuk mund të rishkruhet”, “Marshojmë për drejtësi” dhe “Drejtësi jopolitike”, janë disa nga pankartat që protestuesit po i mbajnë në duar ndërsa brohorasin emrat e ish-krerëve të UÇK-së.

#LIVE – Numër i madh i qytetarëve mblidhen në sheshin “Zahir Pajaziti”

Një numër i madh i qytetarëve kanë nisur të mblidhen në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, për të marshuar për Drejtësi, nismë kjo e marrë nga platforma “Liria ka Emër”.

Që nga mëngjesi, shumë autobusë janë nisur nga qytete tjera për të ardhur në kryeqytet për të marrë pjesë në këtë marsh.

#LIVE – Marshi për drejtësi, fillon grumbullimi i qytetarëve

Sot nga ora 14:00 në Prishtinë do të nis marshi për drejtësi, i organizuar nga iniciativa “Liria ka emër”.

Nga ora 14:00 qyetëtarët do të mblidhen në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, për të marshuar drejt sheshit “Skënderbeu”.

Në kuadër të Marshit për Drejtësi, janë organizuar edhe fjalime të pjësmarrësve të ndryshëm.

Bina është vendosur te sheshi “Skënderbeu”, ku edhe do të mbahen fjalime.

 

Me motoçikleta e autobusë nisen qytetarët për Marshin e Drejtësisë

Qytetarë të shumtë janë nisur nga Skenderaj për të marrë pjesë në “Marshin për Drejtësi” të organizuar nga iniciativa “Liria ka emër”.

Një numër i madh janë nisur me autobusë dhe vetura, por disa persona janë nisur edhe motoçikleta.

Marshi do të fillojë nga ora 14:00, dhe do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

Krasniqi: Sot do t’i tregojmë botës sa krenarë jemi me UÇK-në

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi iu ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen për të marshuar sot duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Krasniqi tha se përmes Marshit për Drejtësi, bashkë me mijëra qytetarë do t’i tregojnë botës “se sa krenarë jemi me historinë tonë të lavdishme dhe me themeluesit e drejtuesit e UÇK-së”.

“Sot është një ditë e veçantë dhe e rëndësishme. Bashkë me ju dhe me mijëra qytetarë nga gjithë Kosova e viset shqiptare, do t’i tregojmë botës se sa krenarë jemi me historinë tonë të lavdishme dhe me themeluesit e drejtuesit e UÇK-së”, ka shkruar Krasniqi.

“Në ora 14:00, shihemi në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë”, ka shtuar kryetari i PDK-së.

Policia bën thirrje për marsh të qetë dhe demokratik

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjes së marshit të planifikuar për sot nga ora 14:00 në Prishtinë.

“Lidhur me këtë PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e marshutës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët dhe ofrimin e sigurisë në trafik”, thuhet në komunikatën e policisë.

Policia ka njoftuar se do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e marshutës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike.

“Sipas procedurave të parapara policia do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të marshutës, andaj ftojmë qytetarët pjesëmarrës që të marshojnë të qetë dhe që kërkesat e tyre t’i shpalosin në mënyrë demokratike”, thuhet tutje në njoftim.

Sot mbahet ”Marshi për Drejtësi”

Sot me fillim nga ora 14:00 në Sheshin Zahir Pajaziti do mbahet ”Marshi për Drejtësi”.

Organizatorët e marshit mbështetës ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte nga Specialja, kanë thënë të jenë bërë të gjitha përgatitjet për këtë organizim të manifestimit për drejtësi.

Ata kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen marshit dhe thanë se kjo ngjarje përbën momentin kur duhet treguar unifikim, pavarësisht ngjyrimeve politike.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila është një nga organizatoret e marshit, ka thënë se kjo ngjarje përbën momentin kur duhet treguar unifikim.

E organizatori tjetër, Ismail Tasholli, ka thënë se mbështetja që është pranuar gjithandej vendit tregon të vërtetën e historisë së Kosovës.

Prej më shumë se dy vjetësh ndodhen në paraburgim në Hagë ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Të katërtit akuzohen nga Specialja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Back to top button