Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) të dhëna për situatën e certifikatave të përdorimit të banesave në të gjitha komunat e Kosovës.
Në përgjigje, ministria ka thënë se nuk posedon statistika specifike, pasi ndërtimet e kësaj kategorie janë kompetencë ekskluzive e vetë komunave.
Por, në një paraqitje para Kuvendit të Kosovës në fund të vitit 2022, ministri Liburn Aliu ka thënë se mbi 75 për qind e ndërtesave në të gjithë vendin janë ndërtuar pa leje ndërtimi dhe, rrjedhimisht, pa certifikata të përdorimit.
“Në gjithë Kosovën, mbi 352.000 objekte janë pa leje, ndërsa vetëm në Prishtinë ka rreth 46.000 ndërtesa të tilla”, ka thënë atëkohë Aliu.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar të dhëna edhe prej disa komunave më të mëdha të Kosovës – Gjakova, Ferizaj, Peja, Mitrovica e Jugut, Gjilani dhe Prizreni – për numrin e lejeve ndërtimore dhe certifikatave të përdorimit të lëshuara gjatë periudhës 2017-2021, por asnjëra nga to nuk ka kthyer përgjigje.
Driton Tafallari, ish-këshilltar në Ministrinë e Mjedisit, thotë se mungesa e certifikatave të përdorimit është problem i përhapur në pothuajse të gjitha komunat e Kosovës.
Ai thotë se situata është edhe më shqetësuese në komunat e mëdha, ku ndërtimet janë më të shumta dhe më intensive.
Sipas tij, mbi 90 për qind e banesave në nivel vendi nuk kanë pranim teknik.
Problemi, thotë Tafallari, buron kryesisht nga papërgjegjësia e investitorëve që nuk aplikojnë për certifikatë përdorimi, por edhe nga mungesa e kontrollit institucional gjatë procesit të ndërtimit.
Ai shton se shumë ndërtues nuk u janë përmbajtur projekteve për të cilat kanë marrë leje ndërtimi, duke bërë zgjerime ose ndryshime që i pengojnë të aplikojnë për pranimin teknik të objektit.
“Ata i kanë rritur sipërfaqet e ndërtimit, kanë shtuar kate mbi sa janë pranuar me leje ndërtimore. Ndaj, kur ka mospërputhje mes lejes së ndërtimit dhe gjendjes reale në terren, organi përgjegjës nuk ka të drejtë ta lëshojë certifikatën e përdorimit”, thotë Tafallari për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Ilir Gjinolli, profesor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se një pjesë e fajit qëndron te ndërtuesit, por përgjegjësia më e madhe, sipas tij, bie mbi autoritetet komunale, të cilat nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të kryer inspektime gjatë fazës së ndërtimit.
Faton Hoxha, kryetar i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, pranon se një numër i madh ndërtesash në vend janë të banuara pa certifikatë të përdorimit.
Por, ai thotë se ka raste kur investitorët kanë kërkuar të pajisen me këtë dokument, e komunat nuk e kanë lëshuar në kohë.
Pasojat për qytetarët
Mungesa e certifikatës së përdorimit sjell pasoja serioze për blerësit e banesave, thotë Tafallari.
Përveç mungesës së sigurisë juridike për banim, qytetarët nuk mund t’i përdorin këto prona si hipotekë për kredi, as nuk mund t’i shesin ligjërisht, sipas tij.
“Përveç kësaj është edhe ngarkesa psikologjike, sepse gjatë gjithë kohës e ke ndjenjën se po jeton në një banesë që ka telashe juridike”, thotë Tafallari.
Sipas vlerësimit të Gjinollit, nuk janë vetëm banorët që humbin nga kjo situatë, por edhe vetë komunat.
“Aty ku nuk ka një certifikatë përdorimi, nuk ka mundësi të regjistrohet prona në kadastër. Kështu, në humbje janë të gjithë, përfshirë ata që e kanë blerë një banesë apo pronë tjetër dhe komunën, e cila humb taksat në pronë”, thotë Gjinolli për Radion Evropa e Lirë.
Shala, i cili jeton në një banesë pa dokumentacion të rregullt pronësor, tregon se ka tentuar të marrë kredi në një bankë komerciale, por se nuk ka mundur ta përdorë banesën si garanci.
“Unë jam jashtëzakonisht i shqetësuar, sepse është bërë shumë. Derisa nuk kam dëshmi se kjo është prona ime, unë nuk ndjehem rehat”, thotë ai.
Cila është zgjidhja?
Për të gjetur një zgjidhje për këtë situatë, profesori Gjinolli thotë se duhet vullnet nga të gjithë aktorët, veçanërisht nga ata që përfitojnë drejtpërdrejt.
Sipas tij, banorët duhet t’u bëjnë trysni autoriteteve komunale për të zbatuar ligjin dhe për të lëshuar certifikatat e përdorimit, ndërsa qeveria duhet t’i ndihmojë komunat me burime financiare, kapacitete njerëzore dhe teknike.
“Duhet të ketë një afat të caktuar, që do të përfshinte inspektimin dhe certifikimin e të gjitha ndërtesave, duke mos pritur aplikimin nga ndërtuesit, por duke shkuar direkt tek ata”, thotë Gjinolli.
Ligji për Ndërtim parashikon dënime për përdorimin e objekteve pa certifikatë të përdorimit.
Investitorët mund të gjobiten nga 1.000 deri në 30.000 euro nëse objekti është në funksion pa këtë dokument ligjor.
Radio Evropa e Lirë pyeti disa prej komunave më të mëdha në Kosovë – Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj, Pejë, Gjilan etj. – se sa e monitorojnë zbatimin e Ligjit për Ndërtim dhe sa është numri i kompanive ndërtuese të gjobitura për përdorim të objekteve të larta pa certifikatë përdorimi, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje prej asnjërës.