​Millosh Vuçeviq mandatar për Qeverinë e re të Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka propozuar Kuvendit kandidatin për kryeministër Millosh Vuçeviq (50), aktualisht ministër i Mbrojtjes.

Ai në këtë post do të pasojë Ana Bërnabiq, e cila ka kaluar në pozitën e kryetares së Kuvendit.

Vuçeviq ushtron profesionin e avokatit që nga viti 1999 në zyrën e avokatisë familjare. Ai u zgjodh kryetar i komunës së Novi Sadit në shtator të vitit 2012, pas së cilës pushoi së punuari si avokat. Ka qenë anëtar i Bordit Drejtues të Aleancës Kombëtare për Zhvillimin Ekonomik Lokal (NALED) nga viti 2015 deri 2016.

Pas zgjedhjeve lokale 2016, ai u zgjodh kryetar i komunës së Novi Sadit për mandatin e dytë radhazi, ndërsa në vitin 2020 u zgjodh kryetar komune për herë të tretë, gjë që ndodhi për herë të parë në historinë e qytetit. Pas zgjedhjeve parlamentare 2022, ai u zgjodh zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes.

Ai është kryetar i Komitetit të Qytetit të Partisë Progresive Serbe të Novi Sadit. Ai u zgjodh kryetar i Komitetit të Qytetit të Partisë Përparimtare Serbe në Novi Sad në zgjedhjet brenda partisë në nivel lokal të mbajtura më 2011 dhe 2017. Më 27 maj 2023 u zgjodh kryetar i Partisë Përparimtare Serbe.

Afati për formimin e Qeverisë së Serbisë është 90 ditë nga data e konstituimit të Kuvendit. Nëse parlamenti brenda kësaj periudhe nuk e zgjedh qeverinë ose nuk e zgjedh qeverinë e re brenda 30 ditëve nga dita e mbarimit të mandatit të qeverisë së mëparshme, presidenti është i detyruar të shpërndajë Kuvendin Kombëtar.

Kjo mbledhje e Kuvendit të Serbisë është konstituar më 6 shkurt, me verifikimin e mandatit të deputetëve të rinj, kështu që 6 maji është afati i fundit për zgjedhjen e Qeverisë së re të Serbisë.

Back to top button