Minatorët ende në grevën, menaxhmenti nuk ka përgjigje për pagat
Prej më shumë se katër javësh minatorët e Trepçës kanë hyrë në grevë. Ata kanë kërkuar një datë të saktë për rikthim në vendin e punës. Sindikata e minatorëve thotë se prej disa ditësh nuk ka pasur më komunikim me institucionet e Kosovës, të cilat i kërkuan menaxhmentit të ulin shpenzimet dhe të rrisin prodhimin, Menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça ndërkohë pavarësisht se kishte premtuar zgjidhjen i tha RTV21 se nuk ka asgjë të re në këtë drejtim.
Janë bërë më shumë se 30 ditë që kur minatorët e Trepçës kanë hyrë në grevë për shkak të mungesës së pagave. Dera e minierës qëndron e mbyllur, ndërkohë mbizotëron qetësia.
Minatorët e Trepçës duan pagat e tyre për muajin qershor dhe korrik, të cilat nuk iu janë paguar ende, pavarësisht një numri takimesh me menaxhmentin dhe me zyrtarë të qeverisë së Kosovës. E
Eset Meha, minator në këtë minierë thotë se arsyeja e vetme e grevës është mos ekzekutimi i pagës. Ai kërkon një datë se kur do t’i dalë paga në mënyrë që të rikthehet në punë.
“Le të na thonë një datë me këtë datë dalin rrogat na dalim në punë po kërkush ska guxim të japë një datë… Minatori është punëtor i thjesht çka i kërkohet me punu punon nuk është përgjegjës për prodhimin”, tha minatori Meha.
Ditë më parë bordi menaxhues i ndërmarrjes Trepça ishte zotuar se pagat për minatorët do të ekzekutohen së shpejti, duke aluduar se pagat për minatorët do të dalin në javën që lamë pas. Për ekzekutimin e tyre ndërmarrja Trepça kishte kërkuar ndihmën e qeverisë siç u tha përmes një plani të jashtëzakonshëm. Ndërkohë, qeveria kishte thënë se për një stabilitet financiar duhet të ketë prodhim të mjaftueshëm. Përmes një komunikatë Qeveria dy javë më parë i kërkoi menaxhmentit të ulë shpenzimet ne ndëmarrjes dhe të angazhohet për prodhim.
Udhëheqës të ndërmarrjes Trepça nuk ishin të gatshëm të flasin para kamerës për RTV21, megjithatë përmes një bisede telefonike i thanë televizionit se nuk ka asgjë të re në këtë drejtim. Por, kryesindikalisti i minatorëve Ibrahim Januzi flet për një gjendje të rënduar.
“Ne nuk kemi komunikim me qeverinë jemi të izoluar nuk ka diçka të re në atë drejtim ku është problemi nuk e dijmë por nuk ka asnjë lëvizje”, tha Januzi.
Pagat e minatorëve në Trepçë sillen nga 700 deri në 900 euro, varësisht nga përvoja dhe përgatitja profesionale.
Minatorët gjithashtu kanë shumë pakënaqësi edhe për kushtet e punës dhe mungesën e sigurimeve shëndetësore. Ndërkohë një ditë mos pune në minierën e Trepçës, Kosova vlerësohet të humb 30 deri në 40 mijë euro. Kjo nuk është greva e parë e minatorëve të Trepçës dhe një më e madhe u zhvillua vitin e kaluar./RTV21/21Media