Minatorët s’po paguhen, “Trepça”: Performanca e ulët, humbjet e borxhet e kanë rënduar gjendjen financiare

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës” ka bërë të ditur se minatorët e ndërmarrjes “Trepça” ende nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor.
Përmes një komunikate për media, udhëheqësia e “Trepça Sh.A.” ka njoftuar se po punohet intensivisht për të tejkaluar vështirësitë financiare dhe për t’u siguruar që punëtorët të marrin pagat e tyre.
Bordi Mbikëqyrës i cili ka marrë detyrën këtë muaj, po punon ngushtë me menaxhmentin për të zbatuar një plan veprimi emergjent dhe po zhvillon komunikim të vazhdueshëm me aksionarët-Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe punëtorët, për të mundësuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate.
Sipas tyre, gjendja financiare e ndërmarrjes është rënduar nga performanca e ulët e prodhimit, humbjet dhe borxhet e grumbulluara.
“Udhëheqja e ndërmarrjes e kupton rëndësinë e kërkesës së minatorëve dhe po punon me përkushtimin më të lartë për t’u dhënë përgjigjen e duhur, për të rifilluar punën e minierës me flotacion Trepça-Stan Tërg dhe për të stabilizuar operimet e ndërmarrjes. Vërejmë se gjendja financiare është rënduar nga performanca e ultë e prodhimit, humbjet dhe borxhet e grumbulluara. Tejkalimi i situatës kërkon reforma të menjëhershme që sjellin stabilitet operativ dhe financiar”, thuhet më tej në njoftim./21Media