Ministri i jashtëm çek: Pritjet e mia janë të larta që të liberalizohen vizat

(Live update)

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, në konferencën për media së bashku me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, tha se pritjet e tij janë të larta që shtetet e BE-së të marrin vendim pozitiv për vizat.
“Për ta kuptuar thjesht, është proces që përbëhet nga aspektet teknike dhe politike. BE-ja do të rishikojë pjesën teknike dhe presidenca çeke shpreson që aspekti politik të marrë vendim pozitiv. Pritjet e mia nga vendimet politike janë të larta dhe është shumë e lartë në agjendën time. Kam kërkuar nga ministri i Jashtëm i Holandës qëndrimin e tij, por ai ka thënë se do të shohim aspektin teknik dhe shpresoj që përmes kësaj do të kemi lëvizje dhe pastaj do të vendosim për aspektin politik”, tha Lipavsky.
Lipavsky tha se procesi i vizave është në rrugë të mirë.
“Vjen në kohën kur Çekia ka presidencën e BE-së, dhe Kosova është një nga prioritetet regjionale dhe përpjekjet tona fokusohen në progres dhe çështjen e liberalizimit të vizave dhe ta kuptojmë se duhet të bëhet ende punë por jemi në rrugë të mirë që të gjejmë përkrahje politike dhe ky proces të përfundojë. Presidenca çeke është duke punuar në këtë fushë dhe jemi duke e përkrahur këtë”, tha ai.
 
Bislimi i bindur se Çekia do ta shtyjë përpara liberalizimin e vizave për Kosovën
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është shprehur i bindur se Republika e Çekisë do ta shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë mandatit të saj në kryesimin e Bashkimit Evropian.
Bislimi ka thënë se vënia e Kosovës në agjendë për liberalizimin e vizave më 13 tetor është një hap shumë i rëndësishëm, por jo përfundimtar. Megjithatë, ai e ka vlerësuar Çekinë për këtë lëvizje.
“E çmojmë faktin se e keni vendosur lartë agjendën e liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosova do të jetë në agjendë më 13 tetor. Ky është hap i rëndësishëm, por jo përfundimtar. Janë pesë procedura. Jemi të bindur se Çekia do ta shtyjë përpara këtë proces sa është në krye të BE-së. Ky është hap i rëndësishëm për qytetarët tanë. Procesi i liberalizimit është i rëndësishëm jo vetëm si simbolik, por edhe në politikë pasi do ta rritë kredibilitetin. E informova Lipavskyn, se Qeveria jonë që nga fillimi është përfshirë në mënyrë konstruktive me dialogun me Serbinë”, ka thënë Bislimi në konferencë për media të enjten pas takimit me ministrin e Jashtëm të Çekisë, Jan Lipavsky.
I dyti i Qeverisë theksoi se janë të përkushtuar në bashkëpunim rajonal dhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me Çekinë./21Media

Back to top button