Ministri Murati tregon si do t’i ulë çmimet e tregut

Pas rritjes së çmimeve, Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekura Murati sot deklaroi se po punojnë për një vendim që cakton çmim tavan dhe marzhë maksimale të fitimit, sepse sipas tij në situata të tilla të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që Qeveria të ndërhyjë në treg për stabilizuar çmimet, gjë që parashihet edhe me legjislacionin në fuqi.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar sot kërkesën për debat parlamentar dhe rezolutën lidhur me masat që duhet të ndërmerren për të ndihmuar qytetarët të përballen me rritjen e çmimeve në produktet esenciale. Por, Murati ka thënë se thirrjet e opozitës që Qeveria të ulë TVSH-në apo akcizën në naftë ose produkte tjera, nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve. Përkundrazi, ai ka thënë se një veprim i tillë vetëm sa do të trashte fitimet e tregtarëve në njërën anë, dhe do të kufizonte mundësitë e shtetit që t’i mbështesë familjet në nevojë në anën tjetër.
“Dëshminë më të mirë për këtë e kemi parë përgjatë tërë vitit të kaluar, kur me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë Hoti, TVSH-ja për bizneset e gastronomisë ishte ulur nga 18% në 8%, për tërë vitin 2021. Përkundër kësaj, për asnjë moment çmimet e kafesë dhe produkteve tjera të gastronomisë nuk u zbritën, sepse e tërë ulja e TVSH-së u kthye në marzhë shtesë të fitimit për bizneset. Pra, nga ulja e TVSH-së, konsumatori s’kishte fituar asgjë, shteti kishte humbur tatime që përndryshe do t’i mblidhte, dhe kësisoj shteti kishte më pak buxhet për të ndihmuar të varfrit. Pikërisht këtë efekt patëm paralajmëruar asokohe në 2020, sa ishim si opozitë në Kuvend dhe teksa po diskutohej për Ligjin për Rimëkëmbje. Ashtu edhe ndodhi”, ka thënë ai.
tutje, Ministri Murati si shmbull mori menaxhimin e situates në vendet e tjera, si Gjermania. Derisa, premtoi se çdo taksë që është mbledhur e kanë kthyer te qytetarët.
“Situatë dhe sjellje të ngjashme ka edhe tani në vendet ku është ulur akciza e naftës nga shteti. Zbritja për konsumatorin, në rastin më të mirë ka zgjatur disa ditë, dhe pastaj çmimet janë ri-ngritur dhe janë kthyer pothuajse në nivelin para uljes së akcizës. Ngjashëm edhe tani, në emër të qytetarëve, po kërkojnë që shteti të heq dorë nga të hyrat e taksave, por qëllimi është tek trashja e fitimit për tregtarët. Deri më tani, çdo taksë që ne kemi mbledhur e kemi kthyer tek qytetari. Kështu edhe do të vazhdojmë, sepse për dallim nga ata që ishin, kjo Qeveri është në anën e qytetarëve!”, ka thënë Murati./21Media

Back to top button