Ministri premton pagesën e subvencioneve

Bujqit në Maqedoni nuk janë optimistë

Nezir Sulisi nga Hasanbegu tanimë 30 vjet merret me bujqësi. Aktualisht ai posedon mbi 200 krerë dele. Ai ankohet se këtë vit nuk ka përfituar asnjë subvencion, edhe pse – siç shprehet – e posedon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. E njëjta ndodhi edhe në vitin 2014 – thotë Sulisi.

Por ministri për bujqësi, pylltari dhe ekonomi të ujërave Lubço Nikollovski thotë se ata që nuk kanë marrë subvencione, duhet t’i drejtohen Agjencisë për Përkrahje Financiare. Njëherazi, Nikollovski deklaroi se në vitet e kaluara kanë marrë kritika nga delegacioni evropian për mospagesën e subvencioneve, shkruan TV21.TV

“Paralelisht paguhen edhe subvencionet për ata që viteve të kaluara kishin problem me pagesën e tyre. Prandaj të gjithë këto i orientojmë drejt Agjencisë për përkrahje financiare të bujqësisë e cila nga sot ka drejtor të ri – Nikolla Babovskin”, tha Lubço Nikollovski, Ministër i Bujqësisë.

Nga Ministria e Bujqësisë thonë se vetëm për vitin 2016, për subvencione janë paguar pothuajse 50 milionë euro dhe se deri në fund të këtij muaji, në xhirollogarinë e bujqve duhet të paguhen edhe 15 milionë euro të tjera. Me ndryshimet e dy programeve për vitin 2017, janë parashikuar edhe 10 milionë euro shtesë për mbështetje të bujqësisë. 6 milionë euro do të shkojnë për zhvillimin rural, ndërsa 4 milionë eurot e tjera – për programin për mbështetje të drejtpërdrejtë./21Media

 

Back to top button