Mijëra persona nisen drejt Parlamentit të Serbisë

(Lajm i përditësuar)
Mijëra persona nisen drejt Parlamentit të Serbisë
Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur në Bulevardin ‘Mbreti Aleksandar’, afër Parlamentit të Serbisë.
Zona është e mbyllur për trafik.
Turma të mëdha njerëzish janë parë në qendër të qytetit, duke mbajtur flamuj të fakulteteve nëpër duar, flamuj të Serbisë, dhe simbole të qyteteve prej nga janë.
Studentët mbajnë 15 minuta heshtje
Studentët kanë mbajtur 15 minuta heshtje në disa pjesë të Beogradit, si shenjë përkujtimi për 15 viktimat e Novi Sadit.
Ky akt përsëritet çdo ditë nëpër Serbi në orën 11:52 – kohën e saktë kur është rrëzuar streha prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Dramë në rrugët e Beogradit – një veturë përplasi qytetarët
Në rrjetet sociale është publikuar një video e incidentit në lagjen Zharkovo në Beograd, kur një automobil përplasi turmën që po mblidhej për të shkuar në protesta.
Studentët dhe qytetarët që po shkonin drejt qendrës së Beogradit nga drejtimi i Çukaricës, po mblidheshin në Zharkovo.
Megjithatë, edhe pse ata po mblidheshin duke mos shkaktuar probleme, ndodhi një incident kur një shofer i panjohur kaloi me shpejtësi përmes turmës, e cila u filmua nga kalimtarët.
Sipas informacioneve të para jozyrtare që po publikojnë mediat serbe, tre persona janë lënduar, shkruan nova.rs.
Në video duket si shoferi godet një grua dhe, pa u ndalur, e bart atë në pjesën e përparme të mjetit.
Studentët, të cilët po protestojnë që nga fundi i vitit të kaluar, nisën pakënaqësitë e tyre pas rrëzimit të një strehimoreje të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona.
Që atëherë, ata janë mbledhur në numër të madh në qytete të ndryshme të Serbisë, veçanërisht në Beograd, Novi Sad, Kragujevc dhe disa qytete të tjera.
View this post on Instagram
Pezullohet transporti publik në Beograd
Të gjitha mjetet transportuese të kompanisë së transportit të qytetit të Beogradit janë tërhequr nëpër garazhet e tyre prej mëngjesit të së shtunës, dhe nuk do të operojnë gjatë ditës.
Përveç tyre edhe linjat private të transportit nuk janë duke operuar prej pasdites të së premtes.
Ministria e Brendshme e Serbisë: 31.000 pjesëmarrës në mirëpritjen e studentëve në Beograd
Ministria e Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur se dy persona janë arrestuar për prishje të rendit publik gjatë tubimit të mijëra njerëzve për t’i mirëpritur studentët në Beograd në mbrëmjen e së premtes.
Autoritetet kanë thënë se një numër traktorësh janë dëmtuar afër Parkut të Pionierit.
“Në pikun e organizimit në të gjitha lokacionet e qytetit, numri total i personave që janë mbledhur nga të gjitha pjesët e Serbisë dhe i atyre që i kanë mirëpritur në Beograd, ka qenë rreth 31.000, sipas vlerësimeve të policisë. Nuk ka pasur incidente të mëdha, dhe Ministria u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të vazhdojnë të protestojnë në mënyrë paqësore”, është thënë në deklaratë.
Pjesëtarë të kësaj ministrie kanë thënë se do të bëjnë gjithçka për të ruajtur rendin, jetën dhe pronën publike.
Studentët serbë sot mbajnë protestën kundër Vuçiqit, ky paralajmëron arrestime
Dhjetëra mijëra qytetarë nga e gjithë Serbia priten t’i bashkohen tubimit anti-korrupsion në Beograd të shtunën, çka paraqet pikën kulmuese të muaj protestash që kanë lëkundur pushtetin e presidentit autokrat, Aleksandar Vuçiq.
Tensionet janë të larta, ndërsa mbështetësit e presidentit janë mbledhur në kamp në një park para pallatit presidencial. Vuçiqi ka paralajmëruar se zyrtarët e sigurisë do të përdorin forcë kundër njerëzve në tubim.
Vuçiqi ka theksuar se protestuesit asnjëherë nuk do ta detyrojnë atë ta lë pushtetin.
“Duhet të më vrisni nëse doni të më zëvendësoni”, kanë qenë fjalët e tij.
Autoritetet janë përballur me protesta pothuaj përditë që nga nëntori kur streha e një stacioni treni u shemb duke lënë të vdekur 15 persona në Novi Sad. Shumica fajin ia kanë hedhur autoriteteve se për shkak të korrupsionit ka ardhur deri te tragjedia.
Protestat kanë qenë paqësore, por Vuçiqi ka pretenduar se protestuesit “do të tentojnë të arrijnë diçka me dhunë dhe ky do të jetë fundi”, derisa ka paralajmëruar se do të ketë arrestime.
Ultranacionalistë, përfshirë anëtarë të ish-milicisë të lidhur me vrasjen e ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq më 2003, janë parë në mesin e grupit në kamp afër pallatit.
Gjingjiqi qe vrarë 22 vjet më parë nga një grup policor i njohur si “Beretat e Kuqe”. Ai udhëhoqi protestat që rrëzuan Slobodan Millosheviqin më 2002.
Vuçiqi “ka mobilizuar kriminelë, hajdutë dhe anëtarë të Beretave të Kuqe, duke sjellë njerëz nga Kosova dhe duke i stacionuar në parkun Pionirski, duke e ditur se qindra mijëra do të mblidhen atje të shtunën”, ka shkruar Dragan Gjilas, lider i partisë opozitare “Liri dhe Drejtësi”.
Protestuesit po kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad, si dhe institucione transparente, të bazuara në sundim të ligjit.
Vuçiqi, i cili ka sakrifikuar kryeministrin për ta mbrojtur pozitën e tij, e ka hequr si opsion formimin e një qeverie tranzicionale dhe mbajtjen e zgjedhjeve në gjashtë muaj. Duke u bërë jehonë narrativave ruse, ai i ka përshkruar protestat si të orkestruara nga Perëndimi me qëllimin që ta largojnë atë nga pushteti dhe ta shkatërrojnë Serbinë.
Organizatorët e protestave janë zotuar se protestat do të vazhdojnë pas të shtunës. “Nuk po i marrim hapat e fundit – po bëjmë ndryshime tektonike. Nëse kërkesat tona nuk plotësohen, ne do të qëndrojmë në rrugë, bllokada, në luftë deri kur drejtësia të arrihet”, shkruhet në postimin në Instagram.