Ministria e Bujqësisë do të investojë në sistemin e ujitjes në Malishevë

Nënshkruhet marrëveshja e mirëkuptimit

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të investojë në rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemit të ujitjes në Komunën e Malishevës, me qëllim të rritjes së rendimenteve në prodhimtarinë bujqësore dhe zvogëlimin e dëmeve të mundshme që shkaktohen nga temperaturat e larta dhe thatësira.

Për realizimin e këtij projekti, Ministria ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me Komunën e Malishevës, për të mundësuar kështu ndërtimin e kanalit të ujitjes në fshatin Banjë të kësaj komune.

Me këtë rast, ministrja e MBPZhR-së, Dijana Zivic, ka treguar se deri më tash kjo ministri ka arritur të ndërtojë kanale të ujitjes dhe të zgjerojë shumë sisteme ekzistuese nëpër të gjitha komunat e Kosovës. Ajo tha se këto investime do të vazhdojnë t’i bëjnë në vazhdimësi edhe në vitet e ardhshme.

Përfshirja e sipërfaqeve të reja nën ujitje përbën prioritet për ministrinë dhe investimet për rregullimin e sistemeve të ujitjes do të vazhdojnë të bëhen edhe në të ardhmen”, tha Zivic.

Në anën tjetër, Ragip Begaj, kryetar i Komunës së Malishevës, ka vlerësuar këtë projekt, duke thënë se investimet e tilla janë të domosdoshme për zhvillimin e  bujqësisë në këtë komunë.

 

Back to top button